Lidhje

Pentagoni përgatitet për shkurtime të thella në buxhet

  • Luis Ramirez

Pjesa e qeverisë amerikane që mund të dëmtohet më shumë nëse ligjvënësit amerikanë dhe Shtëpia e Bardhë nuk arrijnë marrëveshje mbi buxhetin është Departamenti i Mbrojtjes, i cili mund të marrë rreth gjysmën e shkurtimeve buxhetore. Diskutimet janë në vazhdim e sipër në Pentagon për të vendosur se si mund të realizohet 10 për qind e shkurtimit të buxhetit për ushtrinë amerikane që në dhjetëvjeçarin e ardhshëm kap vlerën e 500 miliard dollarëve.

Shkurtimet pritet të jenë masive, 50 miliardë dollarë në vit për 10 vitet e ardhshme.

Kjo është paralajmëruar edhe nga zyrtarë të lartë, përfshirë shefin e shtabit të ushtrisë, gjeneralin Martin Dempsey.

“Ne ende nuk mund të themi saktësisht se cilat do të jenë pasojat e shkurtimeve, por është e qartë se shkurtimet do të rrezikonin pakësimin forcës sonë dhe do të reduktonin kapacitetet ushtarake të vendit. Ne do të kalonim nga një forcë, fuqia e së cilës nuk vihet në dyshim, në një forcë me prani më të vogël në nivel global dhe me një paraqitje më të dobët kundrejt armiqve tanë. Kjo mund të ndryshojë aftësitë tona parandaluese dhe mund të rrisi shanset për konflikte”.

Prania ushtarake është pjesë qendrore e strategjisë amerikane, e cila kërkon rritjen e pranisë ushtarake në rajonin e Paqësorit, ku në rast të zbatimit të shkurtimeve forcat detare do të duhej të ulnin numrin e anijeve që operojnë në rajon.

Fusha të tjera që mund të preken nga shkurtimet janë në fushën e studimeve ushtarake, teknologjinë, pajisjet me armë dhe trajnimet. Shkurtimet automatike nuk do të përfshijnë reduktimin e trupave. Komandantët thonë se shkurtimet do të rezultonin në një numër të madh njerëzish në uniformë, por me burime të pamjaftueshme për pajisje dhe trajnime.

Shkurtimet automatike do t’i shtohen shkurtimeve me vlerë 487 miliard dollarë që tashmë kanë filluar të zbatohen në Pentagon. Sekretari i Mbrojtjes Leon Paneta ka paralajmëruar se reduktimet që mund të ndodhin si rezultat i shkurtimeve automatike do të shkatërronin strategjinë e re të Presidentit Obama për mbrojtjen dhe do të dobësonin mbrojtjen e vendit.

“Unë nuk mund të zvogëloj buxhetin me gjysmë trilion dollarë dhe të mos shtojë rrezikun për vendin”.

Kundërshtarët e presidentit në kongres janë dakord me këtë vlerësim.

Republikanja Kelly Ayotte është anëtare e Komisionit të Senatit për Buxhetin dhe anëtare e Komisionit për Forcat e Armatosura. Ajo shqetësohet se perceptimi se ushtria amerikane është dobësuar do të inkurajojë terroristët dhe vendet e paqëndrueshme të sulmojnë interesat amerikane.

“Shifrat e shkurtimeve flasin për veten e tyre, por mesazhi që dërgojnë ato nuk është një mesazh i mirë në aspektin e sigurisë së Amerikës”.

Afërsisht 80 mijë punonjës civilë të Departamentit Mbrojtjes rrezikojnë humbjen e vendeve të punës. Zyrtarët e Pentagonit shpresojnë se shkurtimet do të shmangen. Ata janë duke shqyrtuar mundësinë që në vend të shkurtimeve të vendeve të punës t’u kërkojnë punonjësve të marrin pushim pa pagesë deri në një muaj.

XS
SM
MD
LG