Lidhje

Pentagoni pas dorëheqjes së zotit Hagel


Pentagoni po ofron siguri se gjithçka vazhdon sipas planit edhe pas dorëheqjes që dha të henën Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel. Materiali në vazhdim sjell më shumë hollësi mbi sfidat me të cilat do të përballet pasuesi i zotit Hagel.

Dorëheqja vjen në një kohë të vështirë, por zëdhënësi i Pentagonit admirali John Kirby thotë se Pentagoni do të përshtatet.

“Pentagoni është i mësuar me ndryshimet në udhëheqje dhe kjo ndodh shumë shpesh.”

Por, ky ndryshim vjen mes një tranzicioni të misionit në Afganistan, zgjerimit të fushatës ushtarake ndaj ISIS në Irak dhe Siri dhe pasigurive buxhetore nga Kongresi për Pentagonin. “Nuk do të jetë tranzicion i lehtë," thotë analisti ushtarak Lawrence Korb.

Zoti Korb i Qendrës për Përparimin Amerikan foli përmes Skype.

“Po largohet nga detyra dikush që mbështet politikat e administratës, dhe kjo po krijon pasiguri pa asnjë arsye të mirëfilltë.”

Zoti Korb thotë se presidenti Obama do të kërkojë një Sekretar Mbrojtjeje që do të jetë më i përshtatshëm për të artikuluar strategjinë amerikane në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. Ai thotë se zoti Hagel mund të ketë qënë i pakënaqur me Shtepinë e Bardhë pasi këshillat e tij për luftën kundër ISIS nuk u morën parasysh.

Ndërsa administrata e presidentit Obama duket e ngadaltë në reagimin ndaj ISIS, zoti Hagel e përshkroi grupin si një rrezik serioz gjatë një reagimi në muajin gusht.

“Nuk janë më vetëm grup terrorist. Kanë bashkuar ideologjinë me fuqitë strategjike dhe taktike ushtarake. Kanë financim të fuqishëm dhe janë përtej gjithçkaje që kemi parë deri më sot.”

Shteti Islamik është bërë një armik i përkryer që ka bashkuar Shtetet e Bashkuara me disa aleatë interesantë. Lawrence Korb thotë:

“Ka shumë faktorë që luftojnë me ne në Irak që janë kundër politikave tona për Sirinë si Irani apo Rusia që po na ndihmojnë në Irak. Lidhur me Sirinë, sauditët dhe emiratet nuk mbështesin politikën tonë për Assadin."

Zoti Korb parashikon se Hagel dhe pasuesi i tij do ta kenë të vështirë të arrijnë një balancë duke u përshtatur në luftën kundër Shtetit Islamik ndërsa politika e jashtëme ndryshon.

XS
SM
MD
LG