Lidhje

Pentagoni ndjek nga afër zhvillimet në Korenë e Veriut pas vdekjes së udhëheqësit komunist


Pentagoni ndjek nga afër zhvillimet në Korenë e Veriut pas vdekjes së udhëheqësit komunist
Pentagoni ndjek nga afër zhvillimet në Korenë e Veriut pas vdekjes së udhëheqësit komunist

Zyrtarët e Pengatonit thonë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë zbuluar ndonjë lëvizje të pazakontë ushtarake nga Koreja e Veriut. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Paneta ndodhet në Kaliforni dhe zhvilloi biseda telefonike të henën me ministrin e mbrojtjes së Koresë së Jugut, ndërkohë që të dy palët ndjekin me kujdes zhvillimet përtej kufirit.

Zëdhënësi i Pentagonit George Little u tha gazetarëve se shefi amerikan i mbrojtjes dhe homologu i tij koreano jugor premtuan ta mbajnë njëri tjetrin të informuar lidhur me zhvillimet në ditët që pasojnë.

Që të dy e kuptojnë se është një kohë delikate dhe se duhet të vëzhgojnë nga afër zhvillimet në Korenë e Veriut dhe në gadishull.”

Ka njoftime për prova me raketa pas vdekjes së zotit Kim. Zyrtarë të lartë të mbrojtjes, thanë në mënyrë anonime, se besojnë se provat me raketa ishin të caktuara qysh më parë dhe nuk kishin lidhje me vdekjen e udhëheqësit të Koresë së Veriut.

Doug Banlow me grupin e kërkimeve në Institutin Cato në kryeqytetin amerikan Washington, thotë se vdekja e udhëheqësit Kim krijon më shumë paqendrueshmëri dhe ndoshta edhe mundësinë e një lufte për pushtet.

“Është e vështirë të dihet se si do të jetë politika e Koresë së Veriut si në aspektin politik ashtu edhe në atë ushtarak gjatë kësaj periudhe kohe. Të gjithë në rajon ndihen nervoz.”

Ai tha se ndërkohë që nuk ka njoftime për lëvizje të pazakonta nga veriorët, forcat amerikane kanë arsye të jenë në gatishmëri gjatë ditëve që pasojnë.

“Çdo lloj paqëndrueshmërie mund të sjellë perspektivën në rritje për luftë. Mendoj se kjo nuk ka shumë gjasa, por nëse je një ushtar amerikan duhet ta kuptosh se ndoshta do të ketë shtim të masave të sigurisë dhe rritje të shqetësimeve rreth mundësisë së diçkaje që mund të ndodhë në anën tjetër të kufirit.”

Bruce Klinger, ish anëtar i komunitetit amerikan të zbulimit, tani me Fondacionin Heritage, thotë se mbetet e paqartë se si do të veprojë pasuesi i udhëheqësit të ndjerë Kim.

“Ndoshta, Kim Jong Un mund të ndjejë më shumë nevojën për sjellje provokative për të krijuar efektin e bashkimit rreth flamurit ose për të ofruar cilësitë e tij dhe aftësitë ndaj ndonjë sfiduesi të mundëshëm. Në bazë të këtyre faktorëve, do të jetë kritike për Shtetet e Bashkuara të mbajë një ushtri të fuqishme të vendosur të dislokuar në Japoni, përfshi Okinawa dhe Korenë e Jugut për të penguar dhe mbrojtur, dhe nëse është e nevojshme, për të mundur çdo lloj sulmi nga Koreja e Veriut apo veprime të tjera ushtarake.”

Rreth 30 mijë trupa amerikane janë të stacionuara në Korenë e Jugut dhe zyrtarët thonë se nuk ka ndryshime në nivelin gatishmërisë mes forcave amerikane në rajon. Pentagoni tha të henën se nuk janë të vërteta thashethemet e përhapura se familjet e personelit ushtarak amerikan po largohen nga Koreja e Jugut.

XS
SM
MD
LG