Lidhje

Një vlerësim për PEPFAR


PEPFAR-it, Planit të Emergjencës së Presidentit për Luftën kundër SIDA-s, i njihet merita se ka shpëtuar miliona jetë njerëzish në vendet në zhvillim. Ky program, i cili filloi gjatë administrates së Presidentit Bush, vazhdon edhe tani në administratën Obama. Por, megjithë sukesesin e arritur, përkrahësit thonë se PEPFAR ndeshet me shumë sfida, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike dhe politikave partiake. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua:

Koordinatori për shoqatën “US Global Aids”, Eric Goosby, personi kryesor i ngarkuar me programin PEPFAR, thotë se meritën për suksesin e programit e kanë shumë njerëz.

“Institucionet shëndetësore, organizatat fetare dhe ato të komunitetit, bizneset, njerëzit e prekur nga SIDA, ata janë “gjymtyrët” që kanë drejtuar transformimin e programit gjatë dekadës së fundit. Në saj të tyre, PEPFAR arriti të realizonte një përparim të pabesueshëm si në aspektin e një programi, por edhe në kthimin dhe shtimin e shpresës për komunitetet ku ne jetojmë.”

Dr. Goosby thotë se PEPFAR e ka mësuar botën shumë për trajtimin e një epidemie globale. Ai thotë se para më pak se një dekade, thuajse nuk kishte fare shpresë për sëmundjen.

“Megjithë kompleksitetin e diagnostikimit dhe trajtimit të SIDA-s si sëmundje , SHBA e morën seriozisht gjetjen e mënyrave të trajtimit të epidemisë për të patur rezulate konkrete. Por, edhe sot ajo që edhe shumë ekspertë nuk e vlerësojnë është ndikimi i madh transformues që kanë patur këto përpjekje në sektorin e shëndetësisë.”

Ai thotë se përmirësimi i punës së spitaleve, klinikave dhe laboratorëve, përgatitja e punonjësve të sektorit të shëndetësisë, krahas krijimit të mjeteve më të mira të furnizimit dhe teknologjisë mjekësore, kanë forcuar sektorin e shëndetësisë në vendet në zhvillim.

Ambasadori Goosby thotë se programi PEPFAR do të vazhdojë të nxisë krijimin e programeve të veçanta për SIDA-n në vendet në zhvillim. Kjo i jep zyrtarëve lokalë të shëndetësisë autoritet më të madh në formatimin e programeve të vendeve të tyre, sipas nevojës. Por kjo thotë ai, nuk do të thotë se nuk do të jepen më fonde nga PEPFAR për financimin e këtyre programeve, të paktën tani për tani.

Ai thotë se “ndarja e përgjegjësive” do të mundësojë zgjerimin e programit PEPFAR. Ky program bashkëpunon ngushtë me Fondin Global të Luftës kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malarjes dhe ambasadori Goosby vlerëson përpjekjet dhe reformat e fondit. Ai thotë se një gjeneratë pa SIDA jo vetëm që është diçka e mundur, por kjo duhet patur si synim për t’u realizuar në të ardhmen.

Një nga përkrahësit kryesorë të programit PEPFAR është Kongresmeni demokrat Jim McDermott, me profesion mjek, si dhe bashkëkryetar i Komisionit të Kongresit për Virusin HIV dhe SIDA-n. Ai ka qenë punonjës i shëndetësisë i Departamentit të Shtetit në ish-Zaire, sot Republika Demokratike e Kongos.

"Unë shkova në Zaire në vitin 1987, pikërisht në kohën kur atje kishte filluar epidemia, kur spitali Mama Yemo në Kinsasha kishte qindra njerëz të shtrirë në tokë, gati duke vdekur.”

Ai thotë se në vitet e para të epidemisë, pak kongresmenë shfaqnin interes për sëmundjen. Ai thotë se nuk ishte dakord me Presidentin Bush për shumë çështje politike, por shton se ish-presidenti amerikan bëri hapin e duhur kur vendosi të fillonte programin PEPFAR në vitin 2003.

Zoti McDermott paralajmëron se politika aktuale tepër e përçarë, e shoqëruar me gjendjen jo të mirë ekonomike, kanë bërë që programi PEPFAR të ketë vetëm mbështetje afatshkurtër, aktualisht vetëm për vitin fiskal 2013 dhe se kjo ka krijuar shqetësim dhe pasiguri në vendet e prekura nga SIDA.

Ai paralajmëron se PEPFAR ndikohet nga situata buxhetore, nga shkurtimet që bëhen kur Presidenti dhe Kongresi nuk bien dakord lidhur me uljen e deficitit buxhetor. Por shton ai, këto shkurtime mund të shkaktojnë një numër të madhe vdekjesh nga SIDA dhe shtimin e numrit të jetimëve në botë.

Që nga krijimi i tij, porgrami PEPFAR ka shpenzuar dhjetra miliarda dollarë në luftën kundër SIDA-s dhe virusit HIV.
XS
SM
MD
LG