Lidhje

Transparency International: Keqësohet perceptimi i korrupsionit, reagojnë analistët


Transparency International: Keqësohet perceptimi i korrupsionit, reagojnë analistët
Transparency International: Keqësohet perceptimi i korrupsionit, reagojnë analistët

Analistë të jetës sociale e politike të Shqipërisë përcollën me shqetësim studimin vjetor të organizatës Transparency International mbi indeksin e perceptimit të korrupsionit. Ata pohojnë se lufta ndaj korrupsionit ka qenë e pamjaftueshme këtë vit në Shqipëri dhe nevojitet të bëhet shumë më tepër nga drejtësia dhe administrata shtetërore kundër kësaj dukurie.

Përfaqësuesi i organizatës Transparency International në Shqipëri, Lutfi Dervishi, thotë se viti 2011 ka qenë në rang botëror viti i krizës në qeverisje, prandaj edhe për rajonin dhe Shqipërinë ka një përkeqëim të perceptimit mbi korrupsionit. “Mesazhi është i qartë: lufta kundër korrupsionit kërkon angazhimin dhe përpjekjet e të gjithëve me reforma konkrete për të qenë më afë publikut dhe për ti dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë, për të patur një gjyqësor eficent dhe të pavarur” - tha ai. Zoti Dervishi tha se heqja e imuniteteve shtetërore ndaj politikanëve ka mbetur vetëm një premtim deklarativ dhe nuk është bërë asnjë hap më tej, por kjo mbetet një provë për seriozitetin e antikorrupsionit në Shqipëri. Megjithatë ka ende shumë zyrtarë pa imunitet që akuzohen për korrupsion dhe nuk dënohen, dhe, sipas tij, rastet më shqetësuese vijnë nga vetë Gjykata e Lartë.

Në Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë, analisti Sami Neza, thotë se qytetarët e kanë përkthyer krizën ekonomike europiane si pasojë e korrupsionit; sapo qytetarët e ndjejnë krizën atyre u shkon mendja tek korrupsioni, por kjo është një matje e perceptimit të korrupsionit dhe jo e shpeshtësisë së tij, të cilat shpesh nuk përputhen. Zoti Neza thotë se prej disa vjetësh, “doganierët dhe tatimorët shqiptarë nuk janë më në krye të listës së korrupsionit, por fushat me korrupsion më të përhapur janë mjekësia dhe drejtësia”. Sipas tij, ndryshe nga vendet e tjera ku njerëzit shohin qeverinë si shkak të korrupsionit, “në Shqipëri bashkë me qeverinë qytetarët shohin si burim korrupsioni edhe gjykatat edhe partitë politike, të cilat nuk bëjnë transparente burimet e financimeve dhe shpenzimeve në fushata”.

Analistët pohojnë që pas dy vjet krize politike duhet filluar një luftë e përbashkët kundër korrupsionit nga qeveria, parlamenti, opozita, gjykatat; të gjithë të japin kontribute nga vetja. Ekspertët mendojnë që edhe pse duket në pamje të parë si rreth vicioz, ky është një bashkëpunim plotësisht i realizueshëm por varet nga vullneti politik.

XS
SM
MD
LG