Lidhje

Përdorimi i hipnozës në operacionet për kancerin në gji dhe tiroide


Përdorimi i hipnozës në operacionet për kancerin në gji dhe tiroide
Përdorimi i hipnozës në operacionet për kancerin në gji dhe tiroide

Mjekët belg pretendojnë se pacientët e tyre me kancer të gjirit dhe atë të tiroideve po mëkëmben nga operacioni më shpejt falë përdorimit të hipnozës dhe anestezisë lokale, në vend të përdorimit të anestezisë së përgjithshme gjatë operacioneve. Kirurgët në Qendrën Klinike Universitare Shën Luk thonë se një e treta e operacioneve të tyre bëhet me hipnozë.

Christel Place mund të jetë së shpejti nën thikën e kirurgut, por me mendjen e saj ajo është disa kilometra larg që këtej.

Place duhet të operohet për të hequr pjesë të tiroides pasi rritja e një tumori beninj po shkakton shqetësime.

Anestezistët këtu janë më të interesuar të mbajnë mendjen e saj në një gjendje tjetër, sesa në llogaritjet sesa ilace duhen për ta mbajtur atë të mpirës. Kështu efektivisht, Place nuk është me mendje këtu në dhomën e operacionit.

Ajo po u ngjitet Alpeve Franceze me miqtë dhe po admiron pamjen duke shijuar ajrin e pastër dhe duke pushimet.

Anesteziologia Fabienne Roelantz flet me zë të ulët duke i thënë të relaksojë muskujt. Ajo i thotë Place të mbyllë sytë për të rritur përqëndrimin. Dritat në dhomë janë qëllimisht të gjelbra për të ndihmuar në relaksim.

Ky ekip përdor tani hipnozën të kombinuar me anestezinë lokale për të mpirë ndjenjën e dhimbjes tek pacientët.

Ajo përdoret në një të tretën e rasteve të heqjes së teroideve dhe 25 përqind të procedurave për kancerin e gjirit, përfshi biopsitë.

Teknika është bërë mjaft popullore në Francë dhe Belgjikë dhe është ndryshe nga llojet e tjera të hipnozave të përdorura për të risjellë kujtimet, si ato që përdoren në psiqiatrik.

Shoqata Franceze e Anastezistëve e cilësojnë hipnozën si një mënyrë të efektshme për të pakësuar stresin, panikun dhe dhimbjen, por pak, për të mos thënë asnjë specialist evropianë ofron këshilla specifike për hipnozën. Nuk ka shifra sesa gjerësisht përdoret hipnoza në mbarë Evropën.

Në Bruksel, spitali Shën Luk shpreson të zgjerojë këtë teknikë në procedurat si herniet, operacionet për kycet dhe ato plastike.

Kirurgu Michel Mourad thotë se është tepër e rëndësishme të krijohet një atmosferë relaksuese për pacientin dhe gjithashtu për ekipin mjekësor. Një nga faktorët kryesor është mënjanimi i zhurmave që do ta nxirrnin pacientin nga gjendja e hipnozës.

"Kontrolli i emocioneve është shumë i rëndësishëm pasi pacienti e ndjen shqetësimin e kirurgut. Në se përshembull ka gjakderdhje dhe ne fillojmë të lëvizim, pacienti e ndjen dhe kjo është shqetësuese. Pra ne të gjithë duhet t’i kontrollojmë emocionet tona, si kirurgët ashtu edhe anestezistët – kjo është themelore në suksesin e përdorimit të hipnozës në kirurgji".

Sipas anestezistes Fabienne Roelantz thotë se hipnoza është një gjendje e modifikuar e ndërgjegjes së njeriut.

“Pas procedurës ata kthehen këtu menjëherë dhe kjo përmirëson procesin e shërimit, pakëson dhimbjet pas operacionit dhe përdorimin e ilaceve. Njerëzit ndjehen mirë menjëherë dhe mund të largohen më shpejt nga spitali".

Kjo procedurë morri dy orë gati dyfishi i kohëzgjatjes së pritshme. Kjo për arsyen se mjekët zbuluan një gjendër të dytë teroideje të zhvilluar dhe vendosën ta heqin.

Kjo do të thotë dy aplikime të tjera të anestezisë lokale. Shtete e Bashkuara nuk kanë rregulla për përdorimin e hipnozës.

Shoqata Amerikane e Anestezistëve nuk është e bindur në përdorimin e hipnozës duke argumentuar se metoda do të jetë e pamundur të përdoret në operacione të komplikuara si ato të zemrës dhe organeve të tjera të brendshme pasi dhimbja është e papërballueshme.

Një shqetësim tjetër, ndryshimi në koston e operacioneve tradicionale që përdorin anestezinë e përgjithshme dhe atyre që përdorin hipnozën.

Ndihmës Profesori Guy Montgomery në qendrën mjekësore Mount Sinai në Nju Jork bëri një analizë të efektshmërisë së kostos në procedurat kirurgjikale. Ai thotë se spitali shpenzoi 772 dollarë më pak për cdo pacientë.

Montgomery beson se hipnoza është popullore jo për shkak se kushton më pak, por ngaqë i vetmi person që vërtet përfiton është pacienti.

"U inkurajuam shumë nga rezultati dhe thamë – është vërtet mirë që ndihmojmë pacientin të përmirësojë jetën pas një operacioni të vështirë si kanceri i gjirit. Por në të njëjtën kohë procedura kushton më pak dhe kursen para".

Megjithatë mjekët thonë se hipnoza nuk duhet të përdoret për operacione të komplikuara që ka të ngjarë të zgjasin më shumë se tre orë.

Në dhomën e operacionit Christel Place po del nga gjendja e hipnozës. Procedura ishte shumë më e shkurtër nga se e mendonte ajo. Brenda 20 minutash ajo ishte në gjendje të fliste. Ajo shpjegon arsyen përse vendosi të përdorte hipnozën.

"Ishte mundësia për këtë lloj operacioni duke mos patur nevojë të fusësh në trup produkte kimike. Dhe përsa i përket mëkëmbjes, është shumë më e shpejtë".

Ajo u shty gjithashtu nga eksperienca e të shoqit i cili kishte kryer më parë një operacion të suksesshëm me hipnozë.

Place është e cuditur nga shpejtësia e procesit. Ajo do të kthehet në shtëpi mëngjesin pas operacionit. Ndërkohë asaj i lejohet t’i kthehet përsëri ëndrrës së saj në Alpet e Francës.

XS
SM
MD
LG