Lidhje

Përdorimi i të dhënave gjatë fushatave elektorale


Përdorimi i të dhënave gjatë fushatave elektorale
Përdorimi i të dhënave gjatë fushatave elektorale

Përpunuesit e të dhënave përpiqen të analizojnë mënyrat se si sillen njerëzit. Ajo që rezulton nga këto analiza mund të ndihmojë dyqanet të dinë se cilët artikuj të vendosin pranë njëri-tjetrit. Ato mund të ndihmojnë shërbimet reklamuese të përcjellin mesazhet promovuese në mënyrë më efektive. Por, të dhënat e përpunuara mund të ndihmojnë edhe politikanët gjatë fushatave elektorale, duke u treguar se ku të kërkojnë për vota.

Praktika e nxjerrjes dhe përpunimit të të dhënave nuk është diçka e re në politikë. Michael Kazin, profesor i historisë në Universitetin Georgetown, në librin e tij “Një hero hyjnor” jep shembullin që përfshin kandidatin për President të Shteteve të Bashkuara të vitit 1896 dhe 1904, Uilliam Xhenings Braian. Zotit Braian i vinin me mijëra letra nga mbështetësit e tij dhe vëllai i tij Çarls i lexonte të gjitha ato. Profesor Kazin shkruan se Çarlsi përpiqej të nxirrte çdo informacion të mundshëm mbi dërguesit dhe për 30 vjet ai vazhdoi t’ua dërgonte ato të dhëna ndihmësave të të vëllait. Pra Çarls po përpunonte të dhënat. Arriti ai të bënte një punë të mirë? Ndoshta jo, pasi vëllai i tij humbi në të gjitha zgjedhjet.

Në ditët e sotme, kandidatët punësojnë nxjerrës të dhënash profesionistë. Në Shtetet e Bashkuara, këta ekspertë zakonisht punojnë ose për Partinë Republikane ose për atë Demokrate.

Endrju Dreshler është zëvendës president i firmës Strategic Telemetry, në Uashington, e cila punon me Partinë Demokrate. Në vitin 2008 kjo firmë e nxjerrjes dhe përpunimit të të dhënave punoi për fushatën elektorale të Presidentit Obama. Zoti Dreshler thotë se kompania e tij filloi punën duke kërkuar për të dhënat më të lehta për t’u gjetur.

“Të them të drejtën, kur sapo kishim filluar të punonim për zotin Obama, po përdornim vetëm të dhënat e censusit.”

Më pas, ekspertët e të dhënave i bashkojnë këto informacione me ato të marra nga dokumentat publike të votimeve, për zona të caktuara. Por, përpunuesit e të dhënave blejnë gjithashtu informacione nga kompanitë.

“Për shembull, çfarë revistash lexojnë njerëzit; çfarë automjeti marrin me qera apo blejnë; nëse kanë apo jo kafshë shtëpiake apo çfarë kafshësh janë ato.”

Ekspertët e të dhënave, thotë zoti Dreshler, nuk përqëndrohen mbi informacinet e një personi në veçanti. Ata mundohen të vërejnë gjëra të përbashkëta brenda grupeve të gjerë. Për këtë qëllim ata përdorin formula matematikore, harta dhe kompjutera.

Zoti Dreshler shpjegon se nëse do t’u duhej të punonin mbi një shtet si Kentaki, me rreth 4 milionë banorë, punonjësit e firmës së tij nuk do të mund të telefonin të gjithë banorët. Pikërisht për këtë arsye ata përdorin shërbime telefonike automatike.

“Pavarësisht se çfarë pyetjesh ne u drejtojmë atyre, ne jemi në gjendje të kuptojmë më pas, duke u mbështetur tek përgjigjet, se si mund të votojnë, njëlloj sikur t’i kishim pyetur vetë.”

Dajan Bystrom, e Universitetit Shtetëror të Ajovas, studion fushatat elektorale. Ajo thotë se, në Ajova, organizatorët e fushatës së zotit Obama përdorën përpunimin e të dhënave për të gjetur njerëz që zakonisht nuk votonin në zgjedhjet partiake, duke tërhequr më pas këta votues të rinj drejt qendrave të votimit.

“Ky ishte elementi që i dha atij fitoren e atyre zgjedhjeve. Ai mori në Ajova më tepër vota se kandidatët e mëparshëm demokratë merrnin zakonisht.”

Sipas zonjës Bystrom, histori të tilla suksesi tregojnë vlerën e madhe të nxjerrjes dhe përpunimit të të dhënave, edhe pse disa njerëz shqetësohen për shkak të problemit të ruajtjes së të dhënave personale.

“Mendoj se për fushatat, të dhënat përfaqësojnë një mjet shumë të fuqishëm. Për votuesit dhe konsumatorët, unë mendoj se sa më shumë që avancon teknologjia, aq më delikate bëhet situata.”

XS
SM
MD
LG