Lidhje

Tom Perez, kreu i ri i demokratëve


Keith Ellison dhe Tom Perez

Ish-Sekretari i Punës, Tom Perez, u zgjodh dje kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat. Ai do të ketë detyrën e vështirë të rimëkëmbjes së Partisë Demokrate pas tronditjes nga fitorja e zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.

Zoti Perez, i cili pati shërbyer në kabinetin e ish-Presidentit Barack Obama, si dhe Kongresmeni Keith Ellison, nga shteti Minnesota, ishin dy konkurrentët kryesorë në garë.

Zoti Perez bëhet personi i parë me origjinë hispanike i zgjedhur në këtë post. Ai fitoi me një diferencë të ngushtë votash në një garë që u pa si një betejë e brendshme ndërmjet Hillary Clinton-it dhe rivalit të saj kryesor, Bernie Sanders.

Menjëherë pas votimit, zoti Perez kërkoi caktimin e zotit Ellison si nënkryetar:

“Dua t’ia filloj duke paraqitur një kërkesë, të cilën e kam diskutuar me një mik të mirë, të quajtur Keith Ellison. I kërkoj komitetit të emërojë zotin Ellison nënkryetar.”

Propozimi u miratua nga Komiteti Kombëtar Demokrat. Ndërsa zoti Ellison tha se:

“Është interesante që na e komentuan garën si të mërzitshme, pasi nuk sulmuam njëri-tjetrin. Jemi vërtet shumë krenarë që nuk e shndërruam në një luftë të brendshme. Juve që mund të keni ardhur këtu për të më mbështetur mua, ju kërkoj të bëni gjithçka për të mbështetur Kryetarin Perez.”

Zoti Perez, djalë emigrantësh domenikanë, konsiderohet si i preferuari i elitës demokrate dhe politikisht i moderuar. Zoti Ellison, një progresist, ishte i pari ligjvënës mysliman i zgjedhur në Kongresin amerikan.

Të zgjedhurit e rinj premtuan se do të dëgjojnë më shumë njerëzit dhe se do të vazhdojnë me avancimin e vlerave që kanë përkufizuar Partinë Demokrate amerikane.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG