Lidhje

Kosovë: Debate mbi përfaqësimin politik të grave

  • Leonat Shehu

Kosovë: Debate mbi përfaqësimin politik të grave

Kosovë: Debate mbi përfaqësimin politik të grave

Përfaqësues institucionesh e të shoqërisë civile, thanë sot në Prishtinë se shifra prej 30 për qind e përfaqësimit të grave në Parlamentin e Kosovës, duhet të mbetet edhe më tej ne fuqi në funksion të nxitjes dhe forcimit të barazisë gjinore. Këto komente u bënë në një debat të qendrës për Studime Gjinore, në një periudhë të debateve për reformën e sistemit zgjedhor në Kosovë. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se trajtimi i çështjeve të barazisë gjinore në Kosovë, nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e gruas, por me interesin e gjithë shoqërisë, meqë gratë përbëjnë, jo vetëm gjysmën e popullsisë, por edhe gjysmën e mundësive zhvillimore.

“Në të kaluarën jo shumë të largët, gratë në Kosovë përjetonin peshën e dyfishtë të robërisë. Në Kosovën e lirë dhe demokratike filloi një proces i gjithanshëm dhe i pakthyeshëm i reformave shoqërore, politike dhe ekonomike. Në këtë kuadër, Kuvendi i Kosovës për të përmisuar barazinë gjinore dhe përfaqësimin e grave në organin më të lart legjislativ dhe përfaqësues si veprim afirmativ caktoi një kuotë prej 30 për qind të pjesëmarrjes së femrës në Kuvend”, tha zoti Krasniqi.

Debatet rreth kësaj përqindjeje kanën vazhduar në çdo përpjekje për ndryshime në sistemin zgjedhor. Luljeta Vuniqi nga qendra për studime gjinore tha se ato ishin nxitur edhe nga përfaqësues të Bashkimit Evropian me propozimet për heqjen e saj.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian ka qenë që të hiqen kuotat sepse kjo përbën shkeljen e të drejtave njerëzore. Prandaj kjo pikëpamje u përqafua nga shumë pjesëtarë të partive politike dhe ata të grupit punues edhe ishte mjaft vështirë të argumentohet pro kuotës”, tha zonja Vuniqi.

Drude Dahlerup, nga Departamenti i Shkencave Politike ne Universitetin e Stokholmit, tha se për një shtet të ri si Kosova që ka pak vjet të pavarësisë së saj, është herët të diskutohet një ndryshim i tillë.

“Mendoj se shumica e vendeve në botë vazhdojnë me përqindjet gjinore duke i vlerësuar ato të domosdoshme. Mbase në të ardhmen kur të kemi një shoqëri ideale nuk do të kemi nevojë për këtë. Mendoj se ai është qëllimi meqë përqindjet e përcaktuara janë masa të përkohshme të veçanta, por kjo nuk duhet të ndodhë herët në Kosovë sepse kjo do të ishte shkatërruese”, tha ajo.

Kosova aktualisht ndodhet në një periudhë diskutimesh për reformën e sistemit zgjedhor ku janë hapur shumë çështje që kanë të bëjnë me problemet e shfaqura gjatë zgjedhjeve të deritashme. Mospajtimet janë ende të thella sa i përket kësaj reforme, ndërsa çështja rreth së cilës ka më së shumti pajtim është ajo e përfaqësimit të gruas në Parlamentin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG