Lidhje

Përfaqësues të Parlamentit Europian përshëndetën bashkëpunimin PD-PS


Përfaqësues të Parlamentit Europian përshëndetën bashkëpunimin PD-PS
Përfaqësues të Parlamentit Europian përshëndetën bashkëpunimin PD-PS

Dy euro-parlamentarë të njohur u bënë thirrje përmes një letre të hapur drejtuesve të dy partive kryesore Sali Berisha dhe Edi Rama që të vazhdojnë bashkëpunimin e saponisur në komisionet parlamentare, duke e cilësuar atë “një hap të shumëpritur drejt normalizimit të klimës politike në Shqipëri”. Europarlamentarët Eduard Kukan dhe Hanes Suoboda publikuan një letër drejtuar dy politikanëve kryesorë në Tiranë ku theksojnë se rifillimi i punës së rregullt parlamentare është një zhvillim inkurajues për integrimin europian të vendit. Ata theksojnë se vecanërisht me rëndësi janë fillimi i punës së përbashkët për reformën zgjedhore, rishikimi i rregulloreve të parlamentit dhe votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar.

Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, dhe eurodeputeti Hanes Svoboda, shprehën shpresën se kjo periudhë e re bashkëpunimi do të normalizojë jetën politike dhe partitë do të trajtojnë shqetësimet e qytetarëve shqiptarë. Në letrën e hapur drejtuar zotërinjve Berisha dhe Rama eurodeputetët theksojnë se vendi ka sfida të mëdha përpara dhe kjo marrëveshje ka ardhur në castin e duhur për vendin dhe rajonin, ndaj ky çast duhet shfrytëzuar për të ndërmarrë masa politike që të jenë largpamëse, vendimtare dhe konstruktive.

Zotërinjtë Kukan dhe Suboda i nxitin kryetarët partiakë shqiptarë që të bashkojnë energjitë për reformat e BE-së, me frymë pajtimi dhe pragmatizmi. Ata shkruajnë se “përmes zbatimit të kësaj marrëveshje, të gjithë aktorët politikë do të fitojnë besueshmëri, ndërsa vendi do të përqëndrohet në 12 detyrat në marrëdhënie me BE-në, të cilat Tirana i ka shpallur si përparësi kombëtare”. Europarlamentarët Kukan dhe Suoboda mbajnë shpresa se marrëveshja PD - PS do të sjellë një funksionim më të mirë të Parlamentit.

“Mirëkuptimi i gjerë për reformën zgjedhore do të sjellë funksionimin e duhur të procesit demokratik - shkruajnë ata. - Kjo marrëveshje krijon mundësi për reformat ligjore dhe të drejtave njerëzore, për reformën e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Eurodeputetët theksuan se e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian, dhe ata si anëtarë të Parlamentit Europian shprehën gadishmërinë që të ndihmojnë me këshilla në arritjen e këtij qëllimi. Ata thanë se “zhvillimet e reja në Shqipëri mund dhe shpresojmë të krijojnë një platformë parlamentare për Europën, e cila do të bashkojë forcat politike rreth qëllimit të përbashkët të integrimit në BE”.

Komentet e europarlamentarëve erdhën menjëherë pasi nisi punën një komision parlamentar për reformën zgjedhore me 10 anëtarë nga dy partitë e mëdha dhe aleatët e tyre më të vegjël. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përshëndeti fillimin e këtij bashkëpunimi duke uruar që reforma të përfundojë në kohë dhe që forcat politike të mos udhëhiqen në këtë proces nga emocionet partiake.

XS
SM
MD
LG