Lidhje

Përfundon misioni luftarak amerikan në Irak

  • Al Pessin

Përfundon misioni luftarak amerikan në Irak

Përfundon misioni luftarak amerikan në Irak

Sot përfundoi misioni luftarak i Shteteve të Bashkuara në Irak. Ky mision merr tani një rol këshillues dhe stërvitor në mbështetje të forcave irakiane. Kjo përpjekje do të vazhdojë deri në fund të vitit të ardhshëm por çfarë do të ndodhë pas kësaj, kjo mbetet ende një pikëpyetje.

Njësitë luftarake amerikane u larguan nga Iraku duke e sjellë numrin e forcave amerikane në më pak se 50 mijë. Këto trupa janë ato që ushtria i quan brigata mbështetëse dhe këshilluese. Misioni i tyre kryesor – të ndihmojnë forcat irakiane të bëhen më të afta për të krijuar një mjedis të sigurt.
Komandanti i forcave amerikane në Irak i cili po largohet, gjenerali Ray Odierno tha se irakianët janë gati, por aty do të ketë trupa të mjaftueshme amerikane jo vetëm për stërvitje por edhe për të ndihmuar në raste emergjente.

“Aty ne do të kemi aftësitë që në rast se duhet dhe irakianët kanë nevojë për ne, ti ndihmojmë ata”.
Gjenerali Odierno tha se irakianët duhet të përmirësojnë kapacitetet e tyre kundër terrorizmit nga fundi i vitit të ardhshëm megjithëse shprehu rezerva se ata nuk do të jenë plotësisht të përgatitur deri atëherë.
Gjenerali amerikan në pension James Dubik pohon të njëjtin mendim. Gjenerali ka qënë në krye të stërvitjes së forcave irakiane në vitin 2007 dhe 2008.
"Është në interesin tonë të ketë një Irak të qëndrueshëm, një Irak që të jetë gjithnjë e më demokratik. Dhe është në interesin tonë të kemi një Irak miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perendimorë".

Michael O’Hanlon në Institutin Brookings thotë se nevojat e irakianëve do të shtrihen përtej vitit të ardhshëm, kur marrëveshja bilaterale e sigurisë kërkon që trupat amerikane të largohen.
"Ushtritë në të dyja anët, besoj se favorizojnë një vazhdimësi të marrëdhënieve të tyre profesionale në të njëjtin nivel".

O’Hanlon thotë se përveç trajnimit, prania amerikane mund të ndihmojë në parandalimin e dhunës sektare dhe etnike.

“Duke patur parasysh investimet në të dyja anët, vështirësitë që kanë kaluar së bashku në të shkuarën, përse të nxitohen për një largim kur në fakt kjo nuk është zgjidhja më e mirë”.
Por gjenerali Dubik thotë se çdo zgjidhje për trupat amerikane që të qëndrojnë përtej vitit 2011 duhet të vijë nga udhëheqësit irakianë. Ai dhe ekspertë të tjerë theksojnë se kjo nuk mund të ndodhë derisa Iraku të formojë një qeveri të re.
"Qeveria irakiane duhet të formohet. Ata duhet të kuptojnë se qëndrimi ynë në Irak përfundon në vitin 2011 dhe në se ata duan ndihmën tonë duhet ta kërkojnë dhe qeveritë duhet të negociojnë një marrëveshje të kënaqshme".

Ndërsa trupat luftarake amerikane largohen dhe shpërthimet me bomba fillojnë të dëgjohen në mbarë vendin, udhëheqësit irakianë përballen me më shumë presion për të formuar një qeveri të re – gati pesë muaj pas zgjedhjeve.
Për politikanët e pakënaqur, largimi zyrtar sot do të jetë një kujtesë tjetër se e ardhmja e vendit është në duart e tyre.

XS
SM
MD
LG