Lidhje

Përgjigje ushtarake ndaj ISIS?


Presidenti amerikan Barak Obama tha se ekzekutimi i "tmerrshëm" me prerje koke i gazetarit amerikan Steven Sotloff do të bashkojë vendin dhe të shtojë vendosmërinë e tij në trajtimin e terroristëve. Vdekja e zotit Sotloff dhe ekzekutimi i mëparshëm me të njëjtën mënyrë i një tjetër gazetari amerikan, James Foley, kanë zemëruar shumë amerikanë dhe kjo mund të nxisë opinionin publik të mbështesë sulme ushtarake kundër Shtetit Islamik. Kërcënimi që vjen nga militantët e grupit Shteti Islamik po shkakton interes të madh dhe në Kongres, ku disa ligjvënës po kërkojnë sulme ajrore kundër tyre.

Senatori Ted Cruz i Teksasit, një konkurrent i mundshëm për emërimin e Partisë Republikane si kandidat presidencial në vitin 2016, foli gjatë një konference konservatore në Dallas pak ditë më parë.

"ISIS thotë se ata duan të kthehen pas duke refuzuar modernizmin. E pra, unë mendoj se ne duhet t’i ndihmojmë. Duhet t’i bombardojmë derisa të mbërrijnë në Epokën e Gurit!"

Ligjvënës të tjerë kërkojnë një qasje më të kujdesshme dhe duket se janë të gatshëm t’i japin administratës së presidentit Obama më shumë kohë për të formuluar një strategji gjithëpërfshirëse për trajtimin e Shtetit Islamik. Kongresmeni Adam Smith, një demokrat nga shteti i Uashingtonit, u shpreh kështu në emisionin "Face the Nation" të televizionit CBS.

"Duhet kohë për të ndërtuar një koalicion. Ne nuk mund thjesht të bombardojmë më parë dhe të kërkojmë mendim më vonë. Duhet të kemi objektivat e saktë dhe mbështetjen e duhur për të qenë efektiv në ndalimin e ISIS."

Deri tani, nuk ka pasur shumë sondazhe në vend lidhur me kërcënimin që vjen nga ky grup ekstremist dhe mbi çfarë duhet që Shtetet e Bashkuara të bëjnë në lidhje me të.
Karlyn Bowman monitoron opinionin publik amerikan në Institutin American Enterprise në Uashington. Zonja Bowman thotë se shumë amerikanë kanë gjasa ta shohin Shteti Islamik si një kërcënim të denjë për një lloj përgjigjeje ushtarake.

"Gjatë verës pamë qartë ngurrim nga publiku për t’u përfshirë gjerësisht në situatën në Lindjen e Mesme. Shumë sondazhe kanë treguar këtë. Por kjo situatë e re paraqet një rrezik më të madh dhe me anëtarët e Kongresit dhe Presidentin që flasin për përmasat e këtij rreziku, mendoj se opinioni publik do t’i ndjekë. "

Një sondazh i fundit Reuters/Ipsos i kryer para vrasjes së gazetarit Sotloff arriti në përfundimin se amerikanët janë të ndarë lidhur me pyetjen nëse duhet ndërhyrë në Irak. Njëzet e nëntë për qind thanë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta bëjnë këtë gjë. Njëzet e një për qind thanë se SHBA-ja duhet të nisë sulme ajrore për të mbështetur qeverinë e Irakut, ndërsa 22 për qind e të anketuarve thanë se nuk e dinë se cila është përgjigja e duhur.

XS
SM
MD
LG