Lidhje

Shqipëri: Qeveri-opozitë, përplasje mbi përgjimet


Ministri i Mbrojtjes Arben Imami hedh poshtë si të pavërteta deklaratat e PS se struktura të ushtrisë po përgjojnë telefonat e opozitës.

Ministri shqiptar i mbrojtjes, Arben Imami hodhi sot poshtë si të pavërteta deklaratat e Partisë Socialiste se struktura të ushtrisë po përgjojnë telefonat e opozitës me mjete të sofistikuara. Zoti Imami deklaroi se ministria e mbrojtjes është e hapur për kontroll dhe nuk ka refuzuar asnjë kontroll nga parlamenti, qoftë për shitjen e materialeve ushtarake, qoftë për përgjimet e pretenduara.



“Lidhur me përgjimin, nuk ka të tilla gjëra. Nuk ka të tilla gjëra. Por për çdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin do të duhet të ngrihet një nënkomision me 3-4 njerëz të besuar nga grupet parlamentare që të betohen për sekretin së pari dhe kur të dalin nga ai komision të dalin me një deklaratë të përbashkët dhe të mos informojnë as kryetarët e partive se çfarë kanë parë, as gratë e tyre madje, për të thënë se ka apo nuk ka përgjim” - tha ai.

Ministri Imami tha se ky presion që po kryhet nga opozita nuk i bën mirë reputacionit të ushtrisë shqiptare dhe as Republikës së Shqipërisë, por ai përsëriti se nuk ka përgjim ndaj opozitës, aq më pak ndaj diplomatëve. Ushtria shqiptare është anëtare e NATO-s - tha ai - dhe i shërben paqes dhe goditjes së terrorizmit.

“Në përputhje me ligjin të bëhet ky kontroll, të hyhet menjëherë dhe të vërtetohet që ne nuk punojmë në këtë drejtim. Ne punojmë kundër terrorizmit, ne punojmë së bashku me shërbime të tjera dhe me ushtri të tjera të NATO-s. Duhet mbajtur në mendje që shërbimi i inteligjencës ushtarake është një nga shërbimet partnere të vendeve të NATO-s. Nuk bëhet fjalë. Nuk i kemi këto kapacitete. Nga ana tjetër, provokimi që janë përgjuar edhe diplomatët nuk shkon. Nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës që të përgjohen diplomatët e vendeve të perëndimit” - tha ai.

Ministri Imami i bëri këto komente sapo doli nga komisioni parlamentar i sigurisë kombëtare, ku u diskutua gjatë për reformat më të fundit strukturore të ushtrisë shqiptare dhe ku u ra dakord me deputetët e opozitës që kërkesa e tyre për kontroll të përsëritet të hënën e ardhshme.

“Është shqetësues fakti që vërej nga maxhoranca një tërheqje, një tendencë për ta shmangur mbikëqyrjen parlamentare në institucionin e ministrisë së mbrojtjes, ndonëse u vendos që kryetari i komisionit përsëri t’i drejtohet ministrit me një shkresë tjetër të përsëritur për herë të katërt për t’i kërkuar lejimin dhe mbikëqyrjen e komisionit të sigurisë. E rëndësishme është që ne e ngritëm zërin dhe arritëm në një farë mënyre që të imponojmë atë kërkesë, atë vendim të cilin komisioni e ka marrë qysh në 18 maj” - deklaroi zoti Ilir Gjoni, deputet i Partisë Socialiste, pjesëtar i komisionit parlamenar të sigurisë.

Drejtues të lartë të Partisë Socialiste po e akuzojënë qeverinë prej disa ditësh se struktura të ministrisë së mbrojtjes po përgjojnë opozitën përmes telefonatave. Ata kërkuan të ushtrojnë kontroll në ministrinë e mbrojtjes, kërkesë që do të përsëritet edhe javën tjetër.
XS
SM
MD
LG