Lidhje

Tiranë: Polemika qeveri - KLD mbi gjyqtarin që pezulloi kryepolicin Çako


Përfaqësuesit e qeverisë dhe ata të drejtësisë shkëmbyen akuza të ashpra të mërkurën lidhur me vendimin e gjykatës së Tiranës për pezullimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Në qendër të kritikave u vendos gjyqtari Arjan Aliaj, i cili vendosi dy ditë më parë, pas kërkesës së prokurorisë, që zoti Çako të pezullohej nga detyra e kreut të policisë dhe nga çdo detyrë tjetër publike apo shtetërore e mundshme, deri në përfundimin e hetimeve.

Drejtuesi i lartë i policisë Çako e apeloi vendimin, i cili, sipas prokurorisë, bazohet në shpjegimin se ai nuk mori masat ligjore për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin për përgjim të pajisjes IMSI Catcher.

Zyrtarët e policisë pohojnë se pajisja u soll në Shqipëri nga autoritetet italiane për qëllime trajnimi dhe me të nuk u bë përgjim.

Kryeministri Edi Rama shkroi në rrjetet sociale se gjykatësi që pezulloi nga detyra drejtorin e policisë Haki Çako është zhytur në kënetën e drejtësisë aq sa Këshilli i Lartë i Drejtësisë e shkarkoi për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës.

Zoti Rama shtoi se “ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë”.

Kryeministri Rama tha se ai gjyqtar u kthye në detyrë sepse u duhej atyre që sot nuk e duan reformën në drejtësi dhe e përdorin atë për interesat e tyre.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzoi publikisht gjyqtarin Aliaj se ka liruar vrasës dhe kjo e ka demaskuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Sipas tij, gjyqtari Arjan Aliaj që dha vendimin ndaj Çakos nuk duhej të merrte në shqyrtimin e çështjes, sepse ai nuk ishte gjyqtar i gatshëm, por dikush tjetër atë ditë.

“Shorti u mënjanua dhe çështjen e mori gjyqtari Arjan Aliaj”, - tha ministri Tahiri.

Sipas tij, drejtësia po mbahet peng nga një front i së keqes, kryetari i gjykatës së Tiranës duhet të shpjegojë pse u shkel ligji, ndërkohë që po kryhet reforma në drejtësi.
Akuzat publike nga qeveritarët e shtynë Këshillin e Lartë të Drejtësisë të publikojë edhe ai një deklaratë, ku theksohet se shprehjet e kryeministrit dhe ministrit të punëve të brendshëm, janë një kërcënim i hapur ndaj gjyqtarit dhe ndaj të gjithë trupës gjyqësore.
“Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri përdorën një arsenal të padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari, për ‘gabimin’ e tij të vetëm se miratoi kërkesën e prokurorit, për dhënien e masës së pezullimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.” - thuhet në deklaratën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku kritikohen deklaratat qeveritare për fjalor i papërshtatshëm.

Këto deklarime në procesin e reformës në sistemin e drejtësisë, sipas KLD, japin mesazhin që kjo reformë mund të jetë vetëm fasadë.

Në deklaratën e KLD-së shpjegohet se gjyqtari Arjan Aliaj u kthye në sistemin e drejtësisë, me vendim të Gjykatës Kushtetuese në 2003.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kërkoi kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të ndalojnë ndikimin, presionin apo kërcënimin ndaj drejtësisë, sepse ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet shtetit të së drejtës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG