Lidhje

Hokeji në akull bëhet sport popullor në Kinë


Hokeji në akull bëhet sport popullor në Kinë
Hokeji në akull bëhet sport popullor në Kinë

Njerëzit mendojnë se sportet më të suksesshme në Kinë mund të jenë noti, gjimnastika ose vrapimi. Por akush nuk mendon për hokejin në akull. Por siç vë në dukje korrespondenti i Zërit të Amerikës William Ide ndërsa ndjekja e këtij sporti nuk krahasohet me sportet e mëdha si futbolli dhe basketbolli, një numër gjithnjë e më i madh i të rinjëve kanë filluar të merren me sportin jo tradicional të hokeit në akull në Pekin.

Në një lagje të ndërtuar rishtazi, në pjesën veriperëndimore të Pekinit, në katin e katërt të një kompleksi tregtar masiv, ndodhet një nga pistat më të reja të akullit.

Ai është gjithashtu vend i kampeve të hokejit në akull, që ekipi i qytetit, “Flying Tigers”, organizoi muajin e kaluar për lojtarë të talentuar të moshës shtatë deri 14 vjeç.
Kevin Masters ka ardhur nga Kanadaja për të ndihmuar në këtë kamp.
“Në fillim kur erdha në Kinë, ku hokeji nuk është një ndër sportet më të përhapura, u habita me nivelin e aftësive të fëmijëve të moshave 5-6 vjeçare dhe fëmijëve të moshave të mëdha. Patinazhi dhe aftësitë individuale të fëmijëve këtu janë të krahasueshme me atë që ne shohim në vendin tim, Kanada”.

Prindërit janë gjithmonë afër duke brohoritur për fëmijët e tyre dhe duke u siguruar që patinat e fëmijëve janë të lidhura siç duhet dhe që asnjë pjesë e pajisjeve të mos humbasë.

Djali tetë-vjeçar i Zhou Jianwei luan si portier.

“Kur djali im filloi të luajë hokej mbi akull, ne e kishim parë këtë sport vetëm në filminTransformers dhe ai mendonte se portierët duken si robotët me të gjitha ato pajisje mbrojtëse dhe kjo bëri që pozita e portierit të bëhej pozita e tij e preferuar ”.

Zhou thotë se në Kinë, ku shumë familje kanë vetëm një fëmijë, djali i tij po mëson më shumë se një lloj sporti.

“Shumë fëmijë në Kinë kanë mungesa në drejtim të bashkëpunimit me njeri tjetrin si ekip, si dhe në drejtim të bërjes së përpjekjeve të mëdha për të arritur diçka, pasi në përgjithësi janë prindërit që kujdesen për gjithshka për ta. Por që kur ai filloi të luajë hokej, ai filloi ngadalë të kuptonte se si duhet të punojë së bashku me shokët e tij për të arritur një qëllim. Dhe në të njëjtën kohë ai mësoi se duhet t’i ndihmonte shokët e tij dhe fitoi ndjenjën se si njerëzit duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin për të bërë një punë”.

Cao Zhennan thotë se synimi i saj nuk është që i biri i saj të luajë në ekipin kombëtar ose në nivel të lartë. Ajo shpreson që sporti do ta kalitë djalin e saj dhe loja me shokët të jetë kënaqësi për të kur ai të rritet.

“Hokeji mbi akull është një sport i shpejtë dhe fizik, është një sport me të vërtetë zbavitës. Përveç kësaj, ai është një djalë dhe ne shpresojmë që sporti do ta ndihmojë të bëhet më i guximshëm. Hokeji mbi akull gjithashtu është sport shumë interesant sepse i mëson fëmijët se si të punojnë së bashku dhe të krijojnë miqësi të reja”.

11-vjeçari Charlie, thotë se interesimin për të luajtur hokej në akull e mori nga shoku i tij Abiyasi një vit e gjysmë më parë. Charlie thotë se sporti ka përfitime të tjera përveç se e mban larg lojrave kompjuterike.

“Unë mendoj se është argëtim. Është i mirë për shëndetin dhe nuk është i mërzitshëm.”

Nëpër qytet, në një tjetër kompleks i madh tregtar, ka një tjetër shesh patinazhi në katin e shtatë të ndërtesës.
Trajneri i klubit “Imperial” të Pekinit, Mark Simon thotë se hokeji mbi akull ka filluar të rritet gjatë viteve të fundit.

“Një grup prej nesh, klubi ynë dhe disa të tjerë, filluam një kampionat në vitin 2008 dhe 2009 me katër ekipe, të cilat përfshinin rreth 50-60 lojtarë. Tani, në sezonin e kaluar, 2010-2011, ne kishim rreth 25 ekipe, që përfshinin rreth 300-350 lojtarë.”

Sa i përket qyteteve aziatike, trajneri Simon thotë se Pekini është më i pasur me katër fusha akulli dhe se është duke ndihmuar në rritjen e këtij sporti në këtë qytet të madh me popullsi prej 20 milionë banorësh.
Lane Moore, një tjetër trajner që po ndihmon në kampin e ekipit Flying Tigers, thotë se hokeji mbi akull në Pekin është në hapat e parë të zhvillimit.

Me ndërtimin e pistave të tjera, do rritet numri i adhuruesve të këtij sporti në Pekin dhe unë kam dëgjuar se e njejta gjë po ndodh edhe në Shangai dhe mendoj se hokeji në akull në Kinë do të vazhdojë të rritet”.

Ai thotë se ndërsa është disi e pazakontë që pista e akullit të ndodhet në një kompleks tregëtar, kjo do të ndikojë në shtimin e publicitetit të hokejit, qoftë edhe nga vizitorët kuriozë që kalojnë aty pranë.

XS
SM
MD
LG