Lidhje

Përleshje ndërmjet KFOR-it dhe protestuesve në veri – të plagosur nga të dyja palët


Përleshje ndërmjet KFOR-it dhe protestuesve në veri – të plagosur nga të dyja palët

Përleshje ndërmjet KFOR-it dhe protestuesve në veri – të plagosur nga të dyja palët

Në Kosovë, zyrtarët e NATO-s dhe përfaqësuesit e serbëve lokal, thanë se katër pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe shtatë protestues serbë janë plagosur sot gjatë përleshjeve që shpërthyen në njërin nga vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Zyrtarët e KFOR-it thanë se njëri nga ushtarët është plagosur rëndë, ndërsa tre të tjerët kanë pësuar plagë të lehta nga një mjet shpërthyes i hedhur nga grupi i protestuesve serbë në Jarinë, njëri nga vendkalimet e diskutueshme kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Paqeruajtësit thanë se të paktën një nga protestuesit serbë është plagosur gjatë përleshjeve.

Burimet lokale serbe të informimit flasin shtatë serbë të plagosur gjatë përplasjeve të sotme. Milan Jakovleviç, drejtor në qendrën e shëndetit në veri të Mitrovicës, citohet të ketë thënë se "shtatë persona janë pranuar në këtë qendër, tre prej tyre në gjendje të rëndë” Sipas tij, plagët janë shkaktuar nga armët e zjarrit.

Dhuna e sotme pasoi një operacion të forcave të KFOR-it për të larguar një nga barrikadat e vendosura nga serbët të cilët që nga 16 shtatori kanë mbyllur të gjitha rrugët që qojnë në vendkalimet kufitare veriore me Serbinë në shenjë pakënaqësie me praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në atë zonë.

Në orët e mëngjesit KFOR-i mënjanoi njërën nga bllokadat në vendkalimin në Jarinë ndërsa tensionet kulmuan pak pas mesditës. Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit bënë thirrje për qetësi duke e cilësuar të domosdoshme largimin e barrikadave. Por, ata nuk komentuan njoftimet e burimeve serbe sipas të cilave dy makina të EULEX-it janë shkatërruar nga protestuesit e zemëruar serb.

Përfaqësuesit e serbëve lokal dhe ata të Beogradit e fajësuan KFOR-in për nxitje të dhunës. Presidenti serb Boris Tadiç është shprehur i brengosur për përleshjet dhe për përkeqësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës për përmbajtje dhe qetësi, ndërsa vetëpërmbajtje ka kërkuar edhe nga forcat paqeruajtëse.

Bashkimi Evropian e dënoi dhunën ndaj pjesëtarëve të pranisë ndërkombëtare në pjesën veriore të Kosovës duke bërë thirrje për sjellje me përgjegjësi. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, u tha gazetarëve në Bruksel se “BE-ja plotësisht i mbështet përpjekjet e KFOR-it dhe EULEX-it, për ta qetësuar situatën dhe po ashtu e mbështet heqjen e barrikadave”, të cilat sipas saj kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe duhet të hiqen.

Nuk ka pasur ndonjë reagim nga Prishtina zyrtare e cila kishte paralajmëruar se barrikadat nuk mund të qëndrojnë pafundësisht në veri.

Bisedimet e radhës Kosovë – Serbi shtyhen për nesër

Dhuna shpërtheu sot në prag të raundit të ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ku palët pritet të bisedojnë për çështjet që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet dhe bashkëpunimet rajonale. Pala serbe pret të shtrojë në tryezë edhe çështjen e vendkalimeve kufitare, një kërkesë kjo e cila është hedhur poshtë nga Prishtina e cila e cilëson çështjen e kufijve si të mbyllur.

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë, sonte në Bruksel, kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Robert Cooper, me të cilin thuhet se janë diskutuar zhvillimet e sotme në veri të Kosovës. Takimi pritet të mbahet nesër.

Zgjidhja e situatës në veri, gjithnjë e më shpesh po përmendet si çështje që duhet të shtrohet në një dialog të ri politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, dhe deri tash është njohur nga rreth 80 vende të botës. Por, ajo vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi, ndërsa veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe është skenë e kundërshtimeve më të ashpra.

XS
SM
MD
LG