Lidhje

Ndizen protestat në vendet myslimane


Protesta të reja shpërthyen në disa vende myslimane, ku po përhapet zemërimi mbi një video anti-islamike të publikuar në internet.

Protestat më të fundit shpërthyen në kryeqytetin e Tunizisë, ku policia përdori gaz lotsjellës kundër demonstruesve të cilët po sulmonin me gurë. Disa prej tyre ishin në gjendje të kalonin murin rrethues të ambasadës amerikane.

Dhuna u përhap edhe në Sudan, ku dëshmitarët thanë se policia u përlesh me mijëra protestues që shkonin drejt ambasadës së SHBA-së. Ka njoftime se disa demonstrues kanë hyrë edhe në ambasadën gjermane.

Sot është dita e katërt e protestave kundër filmit, i cili ishte temë e lutjeve të së premtes në të gjithë Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Lindore si dhe në Afrikë. Shumë demonstrues kanë protestuar kundër vendeve që ata mendojnë se nuk kanë bërë sa duhet për të ndaluar realizimin e videos.

Misionet diplomatike të SHBA-së dhe vendeve të tjera të huaja kanë rritur nivelin e sigurisë pas sulmeve të dhunshme që filluan të martën.
XS
SM
MD
LG