Lidhje

Përmbytet strehimorja e refugjatëve në Janinë


Përmbytjet e 24 orëve të fundit kanë nxjerrë jashtë funksionit një strehimore refugjatësh sirianë në zonën e Kacikas afër Janinës.

Mjetete greke të informimit njoftuan se për t'i shpëtuar përmbytjes dhjetëra grupe refugjatësh u zhvendosën vullnetarisht në zona të ndryshme të qytetit dhe po kërkojnë mbështetje nga autoritetet. Organizatat kanë kërkuar ndihmën e Komisionerit për Refugjatët në Kombet e Bashkuara për një zgjidhje të shpejtë sidomos për rreth 100 fëmijë dhe gra që kanë mbetur në qiell të hapur.

Autoritete greke premtuan pak ditë më parë restaurimin e një qendre tjetër kur në këtë kamp u shtuan tensionet. Qendra do të mundësonte transferimin brenda dhjetë ditësh të një pjese të refugjatëve, por përmbytjet masive e kanë bërë situatën emergjente.

Qyteti verior grek ndodhet rreth 60 kilometra nga kufiri shqiptar dhe grupet e refugjatëve rrezikojnë të udhëtojnë drejt Shqipërisë duke rënë pre e trafikantëve. Shqipëria përballon aktualisht prurje në grupe të vogla të refugjatëve kryesisht nga Siria, Pakistani dhe Afganistani. Por përkeqësimi i motit në rajon mund të rrisë depërtimin e tyre, pasi rojet shqiptare të kufirit dyshojnë se trafikantët i mbajnë me ditë të tëra fshehur në zonat pyjore afër kufirit grupet e refugjatëve.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNCHR hapi pak kohë më parë një zyrë në Gjirokastër dhe synon ndihmën për grupet e refugjatëve që depërtojnë në territorin shqiptar. Refugjatët e përdorin Shqipërinë si një pikë të përkohshme në udhëtimin drejt Malit të Zi apo Kosovës, me destinacion final vendet perëndimore si Italinë, Gjermaninë dhe Britaninë.

XS
SM
MD
LG