Lidhje

Vlorë: Një i vdekur nga përmbytjet, dëme të shumta në mbarë vendin

  • Raimond Kola

Moti i keq me rreshje të mëdha dhe stuhi të forta i ka marrë jetën një personi në Vlorë dhe ka sjellë përmbytje masive të zonave të banuara në Vlorë e Fier, dëmtime rrugësh kombëtare dhe bllokim të qarkullimit të mjeteve si dhe ndërprerje të energjisë elektrike për mjaft zona.

Sipas burimeve vendore në Fier, disa lagje që përshkohen nga Lumi Gjanica janë përmbytur pasi ujërat e rrëmbyeshëm kanë dalë nga shtrati dhe banorët kanë kërkuar ndihmën e strukturave shtetërore për të shpëtuar banesat dhe bizneset.

Policia tha se situata është kritike në të paktën katër lagje në Fier dhe janë thirrur edhe forcat e Repartit “Delta Force” të policisë për t`u ardhur në ndihmë banorëve që rrezikohen.

Në Vlorë zonat e biznesit në Skelë u përmbytën dhe segmenti që lidh Sarandën me Vlorën, në zonën e Orikumit, u bllokua nga rrëshqitjet e dherave.

Të dhënat flasin për dhjetëra banesa, biznese, objekte shkollore të përmbytura.

Edhe në zonën e Ersekës në Juglindje rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar një segment rrugor ndërsa janë dëmtuar linjat e furnizmit me energji të banorëve.

Shirat dhe stuhitë e 24 orëve të fundit kanë sjellë probleme në Shqipëri ndërkohë që njësitë vendore janë gjetur të papërgatitura të shmangin përmbytjet në mjaft zona të banuara dhe përballojnë emergjencat.

Kanalizimet nuk kanë funksionuar prej bllokimit nga mbetjet dhe gjendja e disa hidrovoreve që tërheqin ujërat nuk është në kapacitetin maksimal.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se akset kryesore janë tërësisht në funksionim dhe nuk kanë bllokime, sepse pas rrëshqitjes së dherave në disa zona, me ndërhyrjen e drejtorive rajonale situata është normalizuar.

“Segmentet më të vështira janë: Vlorë - Fushë Dukat, Ersekë – Korçë, Këlcyrë - Ballaban. Aksi Banjë - Drizë është bllokuar për faktin e rënies së dherave në rrugë, dhe është bërë devijimi nga Kaciveli.Po pastrohet rënia e gurëve të vegjël në segmentin Gramsh - Kodovjat. Në segmentin Pajovë - Elbasan ka pasur rënie gurësh dhe bllokim të një korsie ku është ndërhyrë dhe tani është funksionale, ndonëse në këtë segment vazhdon pastrimi i gurëve të vegjël” - theksohet në njoftimin e ARSH-së. Ajo po ndjek në terren situatën dhe po ndërhyn në çdo emergjencë.

XS
SM
MD
LG