Lidhje

Përmbytjet në Luiziana, lumenjtë vazhdojnë të fryhen

  • Richard Green

Shiu që solli përmbytje të mëdha në shtetin jugor amerikan të Luizianës ka ndaluar, por banorët janë paralajmëruar të jenë në gjendje gatishmërie sepse niveli i disa lumenjve do të vazhdojë të ngrihet edhe në ditët në vazhdim. Përmbytjet kanë shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, në pjesë të Luizianës ka rënë më shumë se 50 centimetra shi që nga dita e enjte. Të paktën katër persona kanë humbur jetën nga stuhitë.

John Edwards Bel, Guvernator i Luizianës

"Fakti i thjeshtë është se janë thyer rekorde për nga niveli i rreshjeve. Në situata të tilla Shërbimi Kombëtar i Motit nuk mund t'ju tregojë se çfarë mund të prisni në aspektin e përmbytjeve, nuk mund të parashikojë se sa të mëdha do të jenë përmbytjet nga lumenjtë dhe përrenjtë. Në se jetoni pranë këtyre zonave duhet të tregoni kujdes dhe të largoheni nga shtëpitë pasi ato do të mund të mbulohen nga uji."

Guvernatori John Bel Edwards tha të dielën se më shumë se 20.000 njerëz janë shpëtuar në të gjithë pjesën jugore të shtetit dhe më shumë se 10,000 të tjerë janë vendosur nëpër qendra të përkohshme strehimi.

Presidenti Barack Obama e shpalli këtë zonë në shtetin e Luizianës si një rajon të goditur nga fatkeqësitë natyrore, duke i hapur kështu rrugën dërgimit të ndihmave federale për të financuar strehimin e përkohshëm, riparimin e shtëpive, dhe për të ndihmuar individët dhe bizneset të rimëkëmben nga përmbytjet.

I njëjti rajon i Luizianës dhe zonat bregdetare të Misisipit ishin goditur edhe më parë këtë vit nga përmbytje që kishin shkaktuan të paktën katër viktima dhe dëmtuan mijëra shtëpi.

XS
SM
MD
LG