Lidhje

Mijëra vetë pa strehë pas përmbytjeve në Luiziana


Banorët në Luiziana, në jug të Shteteve të Bashkuara po përpiqen të përllogarisin përmasat e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet masive të ditëve të fundit që kanë lënë 11 të vdekur dhe kanë shkatërruar mbi 40 mijë banesa. Zyrtarët e agjencive federale të emergjencës, punonjës ndihmash dhe vullnetarë po kontrollojnë zonat e goditura për të parë nëse ka njerëz të bllokuar, në nevojë për ndihmë. Në 2005, shteti i Luizianës u godit rëndë nga Uragani Katrina që përmbyti kryesisht qytetin e Nju Orlinsit; këtë radhë përmbytjet kanë prekur kryeqytetin e shtetit, Baton Rouge:

Banorët e zonës nuk kujtojnë të ketë pasur ndonjëherë përmbytje të këtyre përmasave:

“Kam jetuar këtu gjithë jetën dhe nuk kam parë ndonjëherë ngritjen e ujit në këtë nivel,” thotë hidrologu Calvin Jones.

Shumë banorë kanë mbetur pa strehë nga përmbytjet.

“Kemi humbur të gjitha sendet që zotëronim. Jam shumë i dëshpëruar. Por, arritëm të shpëtojmë; edhe miqtë tanë kanë shpëtuar”.

“Çdo gjë që kisha, e kam humbur. Gjithçka,” – thotë një banore.

“Është njësoj sikur ka marrë fund jeta që bënim; na duhet të nisim nga e para. Çdo gjë e kishim bërë duke punuar fort,” thotë një banor.

Krerët e komunave po përcjellin mesazhe shprese, duke i siguruar banorët se gjërat do të përmirësohen:

“Kemi rrugë të gjatë përpara, por do t’ia dalim,” thotë kryebashkiaku i Denham Springs.

James Lane e di se rimëkëmbja nuk është e lehtë. Ai u vendos në komunitetin e Sorrentos pranë Baton Ruzhit, pasi iu prish shtëpia nga Uragani Katrina në 2005.

“Humbëm gjithçka nga Katrina. U vendosëm këtu 10 vjet më parë dhe tani përsëri kemi humbur gjithçka. Jemi gati të kthehemi në komunitetin ku jetonim para Katrinës”.

Mbi 30 mijë vetë janë shpëtuar që të premten, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet e ndihmave. Niveli i ujit ka filluar të bjerë, duke krijuar mundësi për dërgimin e ndihmave në disa zona. Mbi 100 akse kryesore rrugore si dhe rrugë dytësore ishin të mbyllura deri dje, duke vështirësuar operacionet.

Presidenti Barak Obama ka miratuar fonde federale emergjence për zonat e goditura më rëndë. Mbi 70 mijë vetë janë regjistruar për ndihma individuale që ofrohen përmes statusit të emergjencës federale, pasi shumë individë dhe biznese nuk kanë sigurime për të mbuluar dëmet nga përmbytjet.

Në përgjigje të situatës po vërshojnë donacionet. Këngëtarja e muzikës pop, Taylor Swift ka dhuruar 1 milion dollarë në mbështetje të ndihmave pas përmbytjeve.

Tani fillon procesi i vështirë i sistemimit të mijëra vetëve që kanë mbetur pa strehë nga vërshimi i ujërave.

XS
SM
MD
LG