Lidhje

Përmbytjet nga rreshjet në Pakistan kanë filluar të bien


Përmbytjet nga rreshjet në Pakistan kanë filluar të bien në disa zona të jugut, ndërkohë që vendi përpiqet t’u sigurojë ndihma miliona njerëzve në të gjithë vendin.


Sot, mijëra njerëz filluan të kthehen në shtëpitë e tyre në qytetin historik të Tatas në provincën Sind. Shumë prej tyre kishin qëndruar në një varrezë myslimane në kodër jashtë qytetit.


Pjesa më e madhe e 300 mijë banorëve të Tatas u larguan pasi ujërat përmbytën qytetin fqinjë të Suxhavalit dhe vërshimet iu afruan qytetit. Gjatë fundjavës, ekipet e emergjencës punuan me shpejtësi për të rindërtuar digat që ishin dëmtuar disa herë nga niveli i lartë i ujërave.
Tani që niveli i ujit po bie, zyrtarët e menaxhimit të emergjencave në Sind thonë se kërcënimi nga përmbytjet duhet të pakësohet gjatë ditëve të ardhshme.


Megjithatë, autoritetet po përpiqen t’u shpërndajnë ushqimet e nevojshme, ujë të pijshëm dhe ndihma të tjera miliona pakistanezëve.
Këta të fundit rrezikohen nga dehidrimi, kequshqyerja dhe sëmundjet, e sidomos ato që vijnë nga uji i ndotur dhe që prekin kryesisht fëmijët dhe njerëzit me probleme shëndetësore.

XS
SM
MD
LG