Lidhje

Situata e përmbytjeve në zonën e Lushnjës


Në Shqipëri u përmbytën dy ditë më parë mijëra hektarë toka bujqësore dhe dhjetëra familje u shpërngulën nga banesat në Lezhë, Tiranë, Shijak dhe Lushnjë.

Specialistët pohojnë se, krahas faktorëve natyrorë, një ndikim të madh në këto përmbytje kanë sjellë edhe vetë njerëzit me veprimtaritë e tyre të paligjshme.

Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, ishte sot në fshatin Çermë të Lushnjës, ku po punohej për mbylljen e një argjinature të çarë nga ujërat e rrëmbyer të lumit Shkumbin.

Situata e përmbytjeve në zonën e Lushnjës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:06 0:00

Forca dhe mjete të shumta nga pushteti vendor, ushtria, emergjenca civile dhe banorë të zonës janë duke mbyllur sot çarjen e argjinaturës së lumit Shkumbin në fshatin Çermë të Lushnjes.

Ky dëmtim ishte më i rëndi në dy ditët e fundit me shira të rrëmbyer, nga u përmbytën 120 shtëpi nga 20cm deri në 1m50 cm.

Kryetar i bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi thotë se në argjinaturën e Shkumbinit pranë tërbufit nuk është vënë dorë për afro 20 vjet.

Njerëzit e kanë dëmtuar atë më ndërtime dhe gërmime brenda rrezes së saj dhe tani ka nsiru një projekt për pastrimin e gjithë kanaleve kryesore dhe dytësore.

Dëmet në shkallë vendi janë 50 familje të përmbytura në rajonin e Lezhës, në Pllan dhe Zejmen, mbi 60 familje të evakuuara gjatë lumit të Tiranës, nga Laknasi në Kamëz, dëme në Ndroq, Shijak, Katund të ri ku janë rreth 240 familje të prekura.

Në përballimin e gjendjes dramatike në Çermë bashkëpunuan forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Fierit dhe reparti ushtarak i Poshnjes, bordet e kullimit dhe anëtarë të qeverisë.

Prefekti i Lushnjes, Ilir Dervishi ka kryer vetë evakuimin me forcë të disa familjeve me varka në pikun e përmbytjes, e pas tyre janë evakuuar brenda një ore 120 familje të fshatit, së bashku me bagëtinë e ndryshme të tyre.

Pas kalimit të rrezikut Drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile Shemsi Premçi tani po shpërndan paketa ushqimore dhe po ndjek punimet për mbylljen e argjinaturave.

Ai thotë se dëmtimet erdhën jo thjesht nga shiu por nga gabimet njerëzore kundër lumenjve, pyjeve dhe natyrës në këto zona.

Përmbytjet e 6 janarit u njoftuan qysh në 28 dhjetor, ndaj nuk pati asnjë humbje jetësh njerëzore.

Por rreshjet e shumta nxorën edhe një herë në pah dëmtimet e rënda që kanë pësuar shtretërit e lumenjve, pyjet, digat dhe argjinaturat nga ndërtimet e papërgjegjshme të individëve dhe firmave private, duke shkelur në mijëra raste ligjet e shtetit dhe ato të natyrës.

XS
SM
MD
LG