Lidhje

Në zonat e përmbytura të Nënshkodrës ushtria po punon për riparimin e argjinaturave

  • Pëllumb Sulo
  • Shkodër

Në zonat e përmbytura të Nënshkodrës ushtria po punon për riparimin e argjinaturave

Në zonat e përmbytura të Nënshkodrës ushtria po punon për riparimin e argjinaturave

Në zonat e përmbytura të Nënshkodrës vazhdon të jetë e rendë situata për shkak se rreth 8000 hektarë toke dhe më shumë se 1500 banesa e biznese private vazhdojnë të jenë të përmbytura ose të rrethuara nga uji. Pjesa më e madhe e banorëve që u evakuan janë kthyer tashmë në shtëpitë e tyre, megjithse ato, tashmë, janë jashtë çdo kushti për jetese. Autoritetet e emergjencave civile ende nuk kanë rekomanduar kthimin e tyre për shkak të frikës së përsëritjes së përmbyjeve gjatë ditëve të ardhëshme. Ndërkohë, krahas operacioneve humanitare, vemendja është përqendruar në riparimin e argjinaturave, të cilat u dëmtuan rendë në këto përmbytje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, ishte sot në fshatin Darragjat, të Komunës së Dajçit, ku ndoqi nga afër punën që po bëjnë forcat e ushtrisë shqiptare për riparimin e argjinaturës së çarë të këtij fshati.

Për shkak të vazhdimit të rreshjeve, situata në zonat e përmbytura të Nënshkodrës vazhdon të jetë e rëndë dhe e pasigurtë për banorët.

Në komunën e Dajçit, mes dëmeve të shumta janë edhe çarjet e dy argjinaturave, asaj të fshatit Darragjat dhe fshatit Dajçi, të cilat vazhdojnë të mbajnë të përmbyturas rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore dhe disa qindra banesa në këtë komunë. Ndaj, sipas gjeneral Vladimir Qiriazit, një numër i madh forcash të armatosura dhe mjete të ushtrisë janë përqendruar sot në riparimin e atgjinaturës së Darragjatit.

"Aktualisht, ndodhemi ne Samrishtin e vjetër, në një pjesë të çarë të argjinaturës së këtij fshati dhe, siç e shikoni, pjesa më e madhe e forcave të armatosure janë përqendruar në këtë pikë, që është edhe një ndër pikat më kritike për momentin. Nga mbydhja e kësaj hapsire të çarë të argjinaturës, tani ne pretendojmë të ndërpresim futjen e ujit në brendësi të fshatit Samrish. Kemi përqendruar më shumë se 60 forca, por edhe mjete që janë të angazhuara në transportimin e rërës, në mbushje thasësh, përdorimin e mjeteve të ndryshme xhenjere".

Për kryetarin e Komunës së Dajçit, Arben Gjuraj, krahas vazhdimit të operacioneve humanitare, parësore mbetet mbydhja e çarjes së argjinaturës së dëmtuar.

Kryetari i komunës së Dajçit thotë se, përmbytjet e javëve të fundit ishin më të mëdha se ato të fillimvitit. Sipas tij, në komunën e Dajçit janë përmbytur më shumë se 3 mijë hektarë tokë bujqësore, 1500 banesa dhe 600 biznese apo njësi private, ndërkohë që rregjistrohen dëmtime të mëdha në blegtori.

XS
SM
MD
LG