Lidhje

Përmet: Pronësia e Pallatit të Kulturës, çështje e hapur


Në Shqipëri, ndonëse nuk janë përsëritur më situatat e konfliktit, debati mes Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse mbi pronësinë e truallit ku ndodhet Pallati i Kulturës mbetet një çështje e hapur.

Kisha Ortodokse këmbëngul se bëhet fjalë për një vend të shenjtë për besimtarët e saj, ndërsa ka sulmuar mënyrën se si është marrë vendimi i gjykatave shqiptare të cilat i kanë dhënë të drejtë Bashkisë së qytetit.

Nga ana e tij sot, kryetari i Bashkisë Gilbert Jace, theksoi sërish se Pallati i Kulturës është pronë e qytetarëve ndërsa përsëriti idenë e një zgjidhjeje dialogu me përfaqësuesit e Kishës ortodokse. Këto komente ai bëri pas takimit që pati me konsullin grek në Gjirokastër Nikolas Kotrokoi sipas të cilit Kisha ishte autonome në vendimet e saj, porse shqetësimet e Greqisë kishin të bënin me mënyrën si u bë zbatimi i vendimit edhe përzgjedhjen e kohës dhe momentit të ekzekutimit të vendimit të cilat sipas tij kishin qenë të papërshtatshme. Por sipas kryetarit Jace, dhuna e klerikëve ndaj përmbaruesve ka qenë e papranueshme, ndërsa ka theksuar se kjo është një cështje shqiptare.

Konflikti për Kishën u transformua pak ditë më parë edhe në tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat shkëmbyen deklarata të forta ndaj njëra tjetrës, ndërsa autoritetet kufitare greke bllokuan kalimin e qytetarëve me pasaporta shqiptare. Më pas ishte policia shqiptare e cila ju përgjigj me të njejtën monedhë. Një situatë e cila u zgjidh më pas në rrugë diplomatike mes dy vendeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG