Lidhje

Përmirësime në transportin e udhëtarëve mes Shqipërisë e Greqisë


Përmirësime në transportin e udhëtarëve mes Shqipërisë e Greqisë
Përmirësime në transportin e udhëtarëve mes Shqipërisë e Greqisë

Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë pa viza drejt Greqisë ka rritur ndjeshëm kërkesën e tyre për shfrytëzimin e mjeteve publike të transportit. Kjo ka bërë që si autoritet greke dhe ato shqiptare të shohin së afërmi bashkëpunim të ndërsjelltë për përmirësime në transportin publik përmes linjave ndërkombëtare.

Ministri grek i Transporteve Dimitris Repas ka deklaruar së fundi se Greqia sheh mundësinë edhe të shfrytëzimit të linjave detare për trasportin e udhëtarëve me Shqipërinë.

Lëvizja nga portet e Patras, Gumenicës dhe Korfuzit drejt Vlorës apo skelave më të vogla shqiptare si ato të Himarës dhe Sarandës do të ishte sipas specialistëve të trasporteve të të dy vendeve një lehtësi sidomos për udhëtimet në sezonin turistik veror. Gjatë kësaj periudhe pikat e kalimit të kufirit tokësor mes të dy vendeve mbingarkohen duke krijuar radhë të gjata si të emigrantëve edhe të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Dhoma e Tregtisë së Janinës ka propozuar së fundi edhe funksionimin e linjave të autobusëve mes qyteteve ndërkufitare shqiptare dhe greke si atyre të Janinës me Gjirokastrën, Gumenicës me Sarandën dhe Kosturit me Korçën. Ky transport ndërkufitar do të sillte përfitime për zhvillimin ekonomik të rajoneve të dy vendeve fqinje vlerësojnë përfaqësuesit grekë të biznesit.

Aktualisht, Shqipëria dhe Greqia operojnë për transportin e udhëtarëve me disa shoqëri që kryejnë udhëtime kryesisht nga Tirana drejt kryeqytetit Athinë apo drejt qyteteve të mëdha greke.

Pak kohë më parë, Enti grek i Rrugëve kishte propozuar përmirësime në lidhjet rrugore nga Janina në drejtim të pikës shqiptare të Kakavijës dhe nga Gumenica në drejtim të pikës së Qafëbotës për të përmirësuar shkëmbimet e ndërsjellta.

XS
SM
MD
LG