Lidhje

Përmirësohet bashkëpunimi me shërbimet e zbulimit në Jemen


Komploti i parandaluar kohët e fundit për të hedhur në erë një aeroplan me destinacion Shtetet e Bashkuara është përgatitur në Jemen. Trazirat politike dhe sociale i kanë mundësuar një fraksioni vdekjeprurës të al-Kaidës të gjejë strehë në disa zona të Jemenit ku nuk funksionon ligji, ashtu siç bëri al-Kaida në Afganistan. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas, bashkëpunimi i agjencive të zbulimit kundër terrorizmit të huaj duket se është përmirësuar pas largimit të presidentit të Jemenit Ali Abdullah Saleh.

Gjatë protestave ku bëhej thirrje për përmbysjen e tij, Presidenti Saleh e paraqiti veten si një mburojë të domosdoshme kundër terrorizmit xhihadist. Por Sebastian Gorka, analist ushtarak që punon me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thotë se ish-udhëheqësi Jemenit kishte më shumë fjalë se sa vepra.

“Zoti Saleh mund të ketë thënë se ai është shpresa e fundit e Amerikës kundër fundamentalistëve në këtë pjesë të botës, por dihet, madje edhe nga mediat dhe analizat e dokumenteve që nuk janë sekrete, se ky njeri pretendonte se ishte në favor të Uashingtonit dhe Perëndimit në kohën kur prapa skenës ai bashkëpunonte me xhihadistë në vendin e tij në përpjekje për të qëndruar në pushtet. Pra, zoti Saleh ka mashtruar shumë vende, jo vetëm Shtetet e Bashkuara”.

Michael Hayden, ish-drejtor i CIA-s, thotë se marrëdhëniet e shërbimeve të zbulimit me zotin Saleh ishin të vështira.

“Unë kurrë nuk do ta cilësoja Presidentin jemenas Abdullah Saleh partner të lehtë kundër terrorizmit. Ai gjithmonë ishte i përfshirë në negociata që pothuajse nuk kishin fund për gjëra që ai kërkonte, dhe të them të drejtën për mua kontributi i tij ishte minimal”.

Shumë nga anëtarët e rëndësishëm të al-Kaidës ishin nga fqinji i Jemenit në veri, Arabia Saudite, dhe analistët thonë se ka pasur një mirëkuptim të pa thënë se grupi nuk do të kryente sulme brenda atij vendi. Por al-Kaida kishte filluar goditjen e objektivave perëndimore brenda Arabisë Saudite rreth vitit 2003, duke zemëruar zyrtarët e mbretërisë të cilët urdhëruan shtypjen e këtij grupi.

Ish drejtori i CIA-s Hayden thotë se ndryshimet taktike të al-Kaidës befasuan analistët e zbulimit, dhe ky veprim i al-Kaidës ka provuar të jetë një gabim i kushtueshëm për grupin terrorist.

“Të them të drejtën, ne kemi qenë pak të befasuar që ata do ta bënin këtë. Nëse do të më kërkohej mendimi, unë do të thoja se ky nuk është një veprim i mirë taktik. Por rezultatet e ndjekjes së kësaj taktike janë shumë të qarta, ata po vuajnë nga gabimet e tyre”.

Kur Arabia Saudite zgjodhi një linjë të ashpër kundër al-Kaidës, shumë nga anëtarët e saj ikën në jug përtej kufirit me Jemenin, ku ata u rigrupuan nën flamurin e “Al-Kaidës në Gadishullin Arabik”, ose AQAP.

Zyrtarët amerikanë thonë se Al-Kaida në Gadishullin Arabik e ka tejkaluar tashmë al-Kaidën origjinale me bazë në Pakistan duke u bërë kërcënimi më vdekjeprurës terrorist kundër Perëndimit dhe aleatëve të tij. Shtetet e Bashkuara menjëherë filluan një bashkëpunim të ngushtë me shërbimet saudite të zbulimit, dhe filluan sulmet me aeroplan pa pilot kundër caqeve të Al-Kaidës në Jemen dhe ndihmuan forcat qeveritare të sigurisë të kontrolluara nga zoti Saleh.

Presidenti Saleh tashmë ishte duke luftuar një kryengritje separatiste në jug dhe një rebelim nga ana e kryengritësve shiite të njohur si Houthis në veri, kur demonstratat kundër pushtetit të tij shpërthyen në vitin 2011. Ai më në fund transferoi pushtetin në duart e nënpresidentit Abed Rabbo Mansour Hadi në nëntor, por mbajti titullin e presidentit deri në zgjedhjet presidenciale të cilat ai i humbi. Sebastian Gorka thotë se bashkëpunimi kundër terrorizmit është përmirësuar dukshëm që nga largimi i tij.

“Pas largimit të tij nga pushteti, duket sikur administrata e re nuk është aq hipokrite, siç ishte ai. Si rezultat ky vend i rëndësishëm ka patur një qëndrim më bashkëpunues që është dukshëm më i ndryshëm nga periudha kur zoti Saleh ishte në pushtet”.

Al-Kaida në Gadishullin Arabik kontrollon disa zona në Jemen dhe duket se tani po lufton drejtpërdrejt kundër ushtrisë jemenase. Më 7 maj, ky grup që luftonte nën flamurin e “Ansar al-Sheriatit”, ka sulmuar dy baza ushtarake në jug të Jemenit, duke vrarë afro 32 ushtarë dhe mori nën kontroll disa pika ushtarake. Kohët e fundit një sulm me raketa, që besohet se u krye nga avionë amerikanë pa pilotë, vrau tetë luftëtarë të dyshuar të Al-Kaidës në qytetin jugor Jaar.

XS
SM
MD
LG