Lidhje

Përpjekje për miratimin e projektit të naftësjellësit "Keystone"

  • Zëri Amerikës

Instituti Amerikan i Naftës po u kërkon ligjvënësve amerikanë t’u japin fund atyre që kjo shoqatë e tregëtisë i cilëson si rregulla shtrënguese. Sipas tyre, këto rregulla do të sjellin një varësi energjitike më të madhe për vendin dhe më pak vende pune për amerikanët. Instituti po i kërkon gjithashtu Presidentit Obama të miratojë projektin e një naftësjellësi që nis nga Kandaja.

Shtetet e Bashkuara kanë rezerva energjitike të jashtëzakonshme, nëse përfshihen rezervat e papërdorura të gazit natyror dhe të qymyrit.

“Amerika ka rezerva më tepër se Arabia Saudite, se Rusia, se Kina dhe Irani, Libia e Kuvajti të marrë së bashku.”

Jack Gerard është president i Institutit Amerikan të Naftës. Ai u deklaroi drejtorëve ekzekutivë të industrisë se e vetmja gjë që po pengon krijimin e sigurisë energjitike të Amerikës dhe hapjen e mijëra vendeve të punës është ngurrimi i administratës për autorizimin e kërkimeve të naftës dhe gazit.

Instituti ka nisur një fushatë për ta bërë prodhimin e energjisë në një nga elementët e debatit të zgjedhjeve. Ai po ushtron trysni ndaj Presidentit Obama për të miratuar projektin e një naftësjellësi të madh, i cili do të transportonte në rafineritë e Teksasit 700 mijë fuçi nafte kanadeze të papërpunuar në ditë.

“Ne kemi shpresa se ai do të marrë vendimin pozitiv, duke krijuar kështu 20 mijë vende të reja pune për amerikanët dhe duke ndihmuar në krijimin e gjysmë milioni vendesh pune të tjera brenda vitit 2030.”
Aktivistët e mjedisit e hedhin poshtë këtë arsyetim. Ata thonë se 3 mijë kilometrat tubacion të naftësjellësit të madh Keystone do të sillnin dëme të pandreqshme. Pat Spear është përfaqësues i një fisi indigjen nga Dakota e Jugut.

“Ne jemi kundër për arsye që lidhen me mjedisin; kryesisht për shkak të rrezikut të rrjedhjeve në naftësjellësin Keystone.”

Ndërkohë, Instituti Amerikan i Naftës thotë se projekti prej 7 miliardë dollarësh do të ishte ndër më të sigurtët në botë. Analisti Geoffrey Styles thotë se është një situatë shumë e vështirë për një president kur ndaj tij, ashtu si në këtë rast, ushtrohen trysni të kundërta nga sindikatat dhe nga aktivistët e mjedisit:

“Ideja për ta shtyrë vendimin për pas zgjedhjeve ishte më e mira e mundshme, por unë mendoj se tani ai do të detyrohet të vendosë dhe cilido të jetë qëndrimi i tij, njëra palë do të ngelet e pakënaqur.”
Por, zoti Styles shton se një program energjitik i fortë do të ndihmonte Shtetet e Bashkuara të ishin të mbrojtura ndaj ndikimit të problemeve gjeopolitike në disa nga vendet prodhuese më të mëdha të naftës në botë:

“Irani po kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit për shkak të masave ndëshkuese të ndërmarra ndaj tij, por ka dhe faktorë të tjerë. Edhe në Nigeri ka probleme. Pra, bëhet fjalë për paqëndrueshmërinë karakteristike të tregut të naftës.”

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm pas protestave të dhunshme ndaj heqjes së subvencioneve të karburantit në Nigeri si dhe pas kërcënimeve të udhëheqësve iranianë se do të reagonin ndaj sanksioneve kundër tyre duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Ky pikëkalim detar i ngushtë përdoret nga anije naftëmbajtëse ndërkombëtare për të transportuar pothuajse 40 përqind të naftës në botë.

XS
SM
MD
LG