Lidhje

Përpjekje për referendum kundër importimit të plehrave


Përpjekje për referendum kundër importimit të plehrave
Përpjekje për referendum kundër importimit të plehrave

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave nisi sot të mbledhë firmat e qytetarëve për të kërkuar një referendum kombëtar mbi këtë çështje. Kjo aleancë, që bashkoi veprimtarë pro mjedisit dhe të rinj nga shumë organizatave joqeveritare, ka ngritur pika për të firmosur kërkesën për referendum në Tiranë, Vlorë, Durrës e Korçë dhe më pas në të gjithë qytetet për të arritur mbi 50 mijë firma qytetarësh. Veprimtarët shqiptarë të mjedisit kërkojnë që qeveria dhe bizneset të ndalin importimin e plehrave derisa shoqëria civile të marrë një përgjigje për referendumin.

Profesori dhe veprimtari i njohur i kësaj fushe, Lavdosh Ferunaj, thotë se importi i plehrave nga jashtë është një temë e madhe për të cilën shqiptarët duhen pyetur patjetër me një referendum. Ai thotë se “nuk është e vërtetë që ligji i sapomiratuar ka standarteve europiane; në të janë bashkuar artificialisht direktiva të BE-së në mënyrë që gjithë menaxhimi i mbetjeve të vihet në shërbim dhe të justifikojë importin e plehrave”. Sipas tij, riciklimi i plehrave të jashtme është me pasoja të rënda për ekonominë, mjedisin dhe jetën e banorëve të Shqipërisë dhe sjell fitim vetëm për një grup të vogël njerëzish.

Shumë qytetarë nga fusha dhe profesione të tjera u janë bashkuar përpjekjeve për të mbledhur firmat për një referendum mbi plehrat. Andi Tepelena është një artist i sapokthyer nga Italia, ku thotë se ka ndjekur nga afër situatën e rëndë të mbeturinave urbane atje.

“Kur Italia si vend i zhvilluar përballet me vështirësi në përpunimin e mbeturinave, imagjinoni se çfarë mund të bëhet në Shqipëri, kur të vijnë plehra nga vendet fqinje dhe nga Europa” – tha ai.

Veprimtarët e mjedisit zhvilluan disa protesta gjatë muajit nëntor para parlamentit duke u kërkuar deputetëve që të mos e miratonin atë ligj. Ata paraqitën në parlament edhe një peticion me 3 mijë firma për të hequr vetëm nenin e importimit të plehrave. As kjo nuk dha rezultat. Presidenti Topi e ktheu ligjin për rishqyrtim, megjithatë shumica parlamentare e miratoi atë pa dëgjuar propozimet e shoqërisë civile, me argumentin se po ndiqte standartet europiane.

XS
SM
MD
LG