Lidhje

Përpjekjet e Rusisë për t’u anëtarësuar në OBT

  • Andre Nesnera

Përpjekjet e Rusisë për t’u anëtarësuar në OBT

Përpjekjet e Rusisë për t’u anëtarësuar në OBT

Rusia është përpjekur të hyjë në Organizatën Botërore të Tregëtisë qysh në vitin 1993. Tani zyrtarët rusë thonë se shpresojnë të bëhen anëtarë deri nga fundi i vitit. Në një raport nga Uashingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës André de Nesnera i hedh një vështrim ofertës së Moskës për anëtarësim.

Organizata Botërore e Tregëtisë me 153 anëtarë – apo siç njihet ndryshe OBT, është një agjenci që vëzhgon rregullat e tregëtisë ndërkombëtare. Ajo u krijua në vitin 1995, duke zëvendësuar organizatën e njohur si Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tregëtinë dhe Tarifat, apo GATT-i.

Expertët thonë se procedura për t’u bërë anëtar i OBT-së është komplekse. Së pari, një vend duhet të pranojë një seri marrëveshjesh. Ato përfshijnë një tavan të nivelit të tarifave që qeveritë mund të vendosin mbi mallra të ndryshme që importojnë dhe marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pasurisë intelektuale. Përveç pranimit të të gjitha rregullave të OBT-së, vendi duhet të bjerë dakort të vendosë marrëveshje dypalëshë tregëtare me të gjitha vendet që dëshirojnë një gjë të tillë. Dhe së fundmi, një vend mund të ndryshojë shumë nga ligjet e tij ekonomike dhe tregëtare për t’i bërë ato në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Vendi i fundit që iu bashkua OBT-së ishte Ukraina në 2008. Rusia ka negociuar për 18 vjet.
David Christy, avokat dhe ekspert i tregëtisë i cili ka ndihmuar qeveritë për t’u anëtarësuar në OBT thotë se një vend që kërkon të anëtarësohet dhe është serioz në përmbushjen e kërkesave të OBT-së, mund të bëhet anëtar brenda 3 apo 4 vjetësh.

“Kur një vend si Rusia apo Kina bëhet anëtare, zakonisht duhet një kohë më e gjatë, pasi ekonomia është më komplekse, por gjithashtu ata negociojnë shumë për të minimizuar detyrimet që duhet të marrin mbi vete. Rusia ishte e gatshme ta shtynte anëtarësimin në mënyrë që të siguronte që detyrimet të ishin sa më të pakta. Dhe në këtë pikë – falë negociatorëve – ata kanë bërë një punë të shkëlqyer.”

Christy e përshkruan kështu përqasjen e Rusisë në bisedimet me OBT-në.

“Ata kanë një stil negociues shumë të fuqishëm që duket se i lodh delegacionet e tjera. Pra ata janë të gatshëm të vazhdojnë negociatat për vite e vite të tëra.”

Anders Aslund, një ekspert rus me Instititin Peterson për Ekomonitë Ndërkombëtare, thotë se presidenti rus Dmitry Medvedev është një mbrojtës i flaktë i anëtarësimit të Rusisë në OBT.

“Ai i ka dhënë shtytje procesit dhe është bërë përparim gjatë dy viteve të fundit. Periudha tjetër kur ka patur përparim ishte mes vitit 2000 dhe 2003 – gjatë mandatit të parë të presidentit Putin. Por mes viteve 2003 dhe 2010, është bërë pak përparim.”


Expertët thonë se për anëtarësimin e Rusisë në OBT mbetet një pengesë madhore dhe kjo është kundërshtimi i Gjergjisë. Sipas rregullave të OBT-së çdo anëtar mund të bllokojë një vend të ri të anëtarësohet duke i vënë thjesht veton, pasi organizata operon me konsensus.

Gjeorgjia kundërshton me forcë mbështetjen që u jep Rusia rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Moska dhe Tbilisi luftuan për disa javë në vitin 2008. Rusia i konsideron ato tani dy shtete të pavarura – status i papranuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Anders Aslund thotë se opozita e Gjeorgjisë ndaj ofertës së Moskës ka të bëjë me procedurat e doganave mes Rusisë dhe dy rajoneve separatiste.

“Ajo që gjeorgjianët kërkojnë është të ketë një lloj kontrolli shumë-palësh mbi tregëtinë mes këtyre dy territoreve, Osetisë Jugore dhe Abkazisë. Rusia e ka kundërshtuar këtë.”

David Christy thotë se e vërteta është se Rusia po i trajton këto dy rajone si të ndara përfundimisht nga Gjeorgjia – gjë që kundërshtohet me force nga Tbilisi.

“Kështu që kjo tregëti, sipas pikëpamjes ruse do të rrjedhë nga Rusia përmes Osetisë Jugore dhe më pas në Gjeorgji. Ndërsa sipas pikëpamjes gjeorgjiane, sapo të kalojë jashtë Rusisë, ajo është në Gjeorgji sipas ligjit ndërkombëtar edhe në se Gjeorgjia nuk ka kontroll mbi atë territor.”

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur hyrjen e Rusisë në OBT por në të njëjtën kohë thonë se nuk do t’i bëjnë presion Gjeorgjisë të ndryshojë pikëpamjen e saj.

Të enjten Gjeorgjia pranoi një propozim të Zvicrës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregëtare me Rusinë dhe tha se nuk do të bllokojë hyrjen e Rusisë në OBT. Qeveria gjeorgjiane thotë se propozimi jep garanci për mbikëqyrje ndërkombëtare të të gjitha mallrave që kalojnë mes Rusisë dhe rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Rusia, ende nuk ka kthyer përgjigje, por shton se do t’i duhen disa ditë për ta studiuar propozimin.

XS
SM
MD
LG