Lidhje

Zhvillim i ri në përpjekjet kundër Sidës


Shkencëtarët që po punojnë për gjetjen e një kure për sidën thonë se kanë zbuluar një substancë kimike të virusit HIV dhe se strategjia më e mundshme për të luftuar sëmundjen do të jetë sulmimi i saj me një tjetër virus. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, George Putic sjell hollësitë.

Për gati një çerek shekulli, shkencëtarët në mbarë botën janë përpjekur të gjejnë një kurë për sëmundjen që deri tani që ka vrarë miliona njerëz. OKB-ja vlerëson se vitin e kaluar më shumë se 2 milionë njerëz të tjerë u infektuan me virusin HIV, më shumë se gjysma e tyre në Afrikën nën-Sahariane. Studiuesit kanë zhvilluar një sërë ilaçesh që mund të zgjasin ndjeshëm jetën e pacientëve të prekur nga sida, por për shkak të çmimit të tyre të lartë shumë pacientë nuk arrijnë t’i përdorin ato.

Shkencëtarët në Universitetin e Majamit kanë zgjedhur një qasje tjetër për të sulmuar virusin HIV.

Në vitin 2008, një pacient në Berlin të Gjermanisë, u shërua nga sida pasi mori një gjen rezistues ndaj virusit HIV-it, të transplantuar nga një donator.

Drejtori i Qendrës për Studimin e Sidës në Universitetin e Majamit, Mario Stevenson, thotë se studiuesit tani po përpiqen të gjejnë një mënyrë për përdorimin e këtij gjeni në një shkallë më të madhe.

"Edhe pse ne nuk mund të përdorim transplantimin e gjenit për eliminimin total të virusit HIV, ai proces na ka dhënë ide mbi mënyrën se si mund t’i afrohemi gjetjes së një kure. Ky transplantim na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë veprimet e virusit në trupin e individëve të cilët janë në terapi, dhe pengesat që ne duhet t’i kapërcejmë në përpjekjet për eliminimin e virusit".

Zoti Stevenson thotë se një metodë efektive do të ishte zhvillimi i një virusi të padëmshëm që do të mund të transferonte gjenin direkt në virusin HIV. Me këtë qasje, thotë ai, shkencëtarët kanë filluar të shohin mundësinë për gjetjen e një kure.

"Përpjekjet tona shkencore kanë filluar të tregojnë se si do të mund të dukeshin përbërësit e një kure, pengesat për gjetjen e saj, dhe një përpjekje e suksesshme për gjetjen e një kure".

Shkencëtarët duhet të sigurohen që virusi kundër sidës të jetë absolutisht i padëmshëm, por thonë se kjo qasje duket shumë premtuese. Ata parashikojnë se arritja e fitores në luftën kundër sidës është çështje kohe.

XS
SM
MD
LG