Lidhje

Përplasja për KLD-në


Në Shqipëri vazhdon përplasja mes presidentit Bamir Topi dhe ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi për kandidaturën e nënkryetarit të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dje në mbledhjen e këtij Këshilli presidenti propozoi emrin e Ilir Mustafaj, anëtar i zgjedhur nga radhët e gjyqësorit. Sot Ministri Halimi përmes një letre i ka kërkuar zyrtarisht presidentit ta tërheqë këtë propozim pasi sipas tij është antikushtetues. Sipas ministrit të Drejtësisë nënkryetari i KLD nuk mund të zgjidhet nga anëtarët e zgjedhur nga konferenca gjyqësore.

Debatet e nisura që ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të lartë të Drejtësisë kanë vazhduar më tej, duke shënuar një përplasje të re mes presidentit Bamir Topi dhe shumicës së djathtë. Eksponentë të saj, por edhe vetë ministri i Drejtësisë Eduard Halimi e kanë konsideruar si “shkelje kushtetuese” propozimin nga ana e presidentit të kandidaturës së Ilir Mustafajt si nënkryetar, për faktin se ai është një anëtar i zgjedhur nga radhët e gjyqësorit.


Sot me anë të një letre zyrtare Ministri i Drejtësisë Halimi i ka kërkuar presidentit që të tërheqë kandidaturën e tij. Në letrën e tij ministri shprehet se “ky propozim, jo vetëm përbën një akt të paprecedent në traditën kushtetuese të ushtrimit të veprimtarisë së Presidentit të Republikës, në detyrën e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësise sepse është antikushtetues, por mbi të gjitha krijon tension instirucional artificial dhe dëmton zhdërvjelltësinë, që aktiviteti i këtij Këshilli duhet të ketë nën drejtimin e një anëtari jo gjyqtar”, shkruan ministri duke renditur më pas edhe argumentat juridike. Ai i referohet nenit 147 të kushtetutës i cili përcakton edhe formulën e përbërjes së Këshillit me 9 anëtarë nga gjyqësori, dhe tre anëtar të propozuar nga parlamenti përvec anëtarëve që janë për shkak të funksioneve që kryejnë.

Më pas Ministri Halimi përmend dhe një vendim të Gjykatës kushtetuese të vitit 2006, sipas të cilit të 9 anëtarët që përfaqësojnë gjyqësorin duhet të jenë gjyqtarë efektivë. Për pasojë, sipas interpretimit të Ministrit, nëse njëri prej tyre do të zgjidhej nënkryetar ateherë ai do të hiqte dorë nga ushtrimi i detyrës si gjyqtar e njëkohësisht do të cënohej përfaqësimi me 9 anëtarë të trupës së gjyqësorit.

Por burime nga presidenca i referohen gjithashtu po nenit 147 të kushtetutës i cili saktëson se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozim të presidentit zgjedh nga anëtarët e tij zëvendëskryetarin”, gje e cila sipas tyre nuk vendos kufizime. Po ashtu, presidenca i referohet edhe nenit 12 të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili parashikon zgjedhjen si nënkryetar edhe të një anetari nga trupa gjyqësore, i cili në përfundim të mandatit rikthehet në detyrën e mëparshme si gjyqtar.

Të njëjtin nen citon edhe ministri i Drejtësisë Halimi në letrën e tij duke kujtuar se “pas 5 vitesh që nga ai ligj jurisprudenca kushtetutese ka sjellë zhvillime domethënëse” duke kembëngulur në përcaktimin e vendimit të Gjykatës kushtetutese se anëtari i zgjedhur nga gjyqësori duhet të jetë gjyqtar efektiv dhe i pashkëputur nga kjo detyrë.

Por burimet nga presidenca, duke ju referuar po këtij vendimi të gjykatës kushtetuese saktësojnë se kjo gjykatë, ndërsa ka shfuqizuar disa nene të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, nuk e ka prekur Nenin 12.

E gjithë kjo betejë juridike që zhvillohet në sfondin e një përplasjeje të vjetër mes shumicës së djathtë dhe presidentit Topi duket se do të kthehet në një provë force në votimin që do të zhvillohet. Një sfidë të parë presidenti Topi e fitoi dje kur me një rezultat të ngushtë 8 me 7 u hodh poshtë propozimi i ministrit Halimi që caktimi i nënkryetarit të ri të shtyhej pas zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit.

XS
SM
MD
LG