Lidhje

Përplasje e re mes presidentit Topi dhe shumicës së djathtë


Debatet e nisura që ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të lartë të Drejtësisë kanë vazhduar më tej, duke shënuar një përplasje të re mes presidentit Bamir Topi dhe shumicës së djathtë.

Eksponentë të saj, por edhe vetë ministri i Drejtësisë Eduard Halimi e kanë konsideruar si “shkelje kushtetuese” propozimin nga ana e presidentit të kandidaturës së Ilir Mustafajt si nënkryetar, për faktin se ai është një anëtar i zgjedhur nga radhët e gjyqësorit.

Sot me ane të një letre zyrtare Ministri i Drejtësisë Halimi i ka kërkuar presidentit që të tërheqë kandidaturën e tij. Ne letrën e tij ministri shprehet se “ky propozim, jo vetem perben nje akt te paprecedent ne traditen kushtetuese te ushtrimit te veprimtarise se Presidentit te Republikes, ne detyren e kreut te Keshillit te Larte te Drejtesise sepse eshte antikushtetues, por mbi te gjitha krijon tension instirucional artificial dhe demton zhdervjelltesine, qe aktiviteti i ketij Keshilli duhet te kete nen drejtimin e nje anetari jo gjyqtar”, shkruan ministri duke renditur me pas edhe argumentat juridike.

Ai i referohet nenit 147 të kushtetutës i cili përcakton edhe formulën e përbërjes së Këshillit me 9 anëtarë nga gjyqësori, dhe tre anëtar të propozuar nga parlamenti përvec anëtarëve që janë për shkak të funksioneve që kryejnë. Më pas Ministri Halimi përmend dhe një vendim të Gjykatës kushtetuese të vitit 2006, sipas të cilit të 9 anëtarët që përfaqësojnë gjyqësorin duhet të jenë gjyqtarë efektivë. Për pasojë, sipas interpretimit të Ministrit, nëse njëri prej tyre do të zgjidhej nënkryetar ateherë ai do të hiqte dorë nga ushtrimi i detyrës si gjyqtar e njëkohësisht do të cënohej përfaqësimi me 9 anëtarë të trupës së gjyqësorit.

Por burime nga presidenca i referohen gjithashtu po nenit 147 të kushtetutës i cili saktëson se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozim të presidentit zgjedh nga anëtarët e tij zëvendëskryetarin”, gje e cila sipas tyre nuk vendos kufizime. Po ashtu, presidenca i referohet edhe nenit 12 të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili parashikon zgjedhjen si nënkryetar edhe të një anetari nga trupa gjyqësore, i cili në përfundim të mandatit rikthehet në detyrën e mëparshme si gjyqtar.

Të njejtin nen citon edhe ministri i Drejtësisë Halimi në letrën e tij duke kujtuar se “pas 5 vitesh që nga ai ligj jurisprudenca kushtetutese ka sjellë zhvillime domethënëse” duke kembëngulur në përcaktimin e vendimit të Gjykatës kushtetutese se anëtari i zgjedhur nga gjyqësori duhet të jetë gjyqtar efektiv dhe i pashkëputur nga kjo detyrë.

Por burimet nga presidenca, duke ju referuar po këtij vendimi të gjykatës kushtetuese saktësojnë se kjo gjykatë, ndërsa ka shfuqizuar disa nene të ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, nuk e ka prekur Nenin 12.

E gjithë kjo betejë juridike që zhvillohet në sfondin e një përplasjeje të vjetër mes shumicës së djathtë dhe presidentit Topi duket se do të kthehet në një provë force në votimin që do të zhvillohet. Një sfidë të parë presidenti Topi e fitoi dje kur me një rezultat të ngushtë 8 me 7 u hodh poshtë propozimi i ministrit Halimi që caktimi i nënkryetarit të ri të shtyhej pas zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit.

XS
SM
MD
LG