Lidhje

Ekonomia, sfida kryesore politike për Presidentin Obama

  • Xhim Mëllon

Ekonomia, sfida kryesore politike për Presidentin Obama

Ekonomia, sfida kryesore politike për Presidentin Obama

Në politikën amerikane, një pjesë e mirë e verës në Uashington do të jetë e ngarkuar me debate të ndezura mbi rritjen e nivelit të borxhit kombëtar. Mendohet që debati është një parathënie për fushatën presidenciale të vitit të ardhshëm, kur Presidentit Barak Obama do t’i duhet të mbrojë politikat e tij ekonomike. Korrespondenti Jim Malone njofton nga Uashingtoni:

Përplasjet politike në Uashington mbi borxhin masiv po shkallëzohen. Këto debate ka të ngjarë t’i kushtojnë shtrenjtë Presidentit Obama, republikanëve në Kongres dhe kandidatëve të shumtë republikanë që konkurojnë për të marrë emërimin e partisë së tyre për zgjedhjet e ardhshme.

Administrata Obama paralajmëron se nëse nuk rritet niveli i borxhit në 14.3 trilion dollarë brenda 2 gushtit, tregjet ekonomike mund të përfshihen nga kaosi dhe mëkëmbja e ekonomisë amerikane mund të zhbëhet.

Ekspertët thonë se një kompromis mes presidentit dhe udhëheqësve republikanë mund ta ndihmojë zotin Obama në përpjekjet për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm. Analisti Stuart Rothenberg shprehet mbi këtë temë në programin Encounter të Zërit të Amerikës:

“Presidenti mori postin duke premtuar rimëkëmbje, vende pune dhe rritje ekonomike që nuk i ka realizuar. Demokratët thonë se s’është faji i tij, pasi rrethanat ishin të tilla. Republikanët nuk kanë bashkëpunuar. Por në sistemin tonë politik, presidenti thuajse gjithmonë konsiderohet përgjegjës dhe anketat tregojnë se votuesit e konsiderojnë Presidentit Obama përgjegjës. Kjo ka bërë përkrahja për të po bie dhe ky fakt përbën një problem madhor për të”.

Presidenti Obama këmbëngul se heqja e shkurtimeve të taksave për amerikanët e pasur duhet të përfshihet në marrëveshjen që do të arrihet me republikanët, ku do të ketë gjithashtu edhe shkurtime të ndjeshme në shpenzime, që kërkohen nga republikanët. Presidenti shprehu irritim nga qëndrimi i republikanëve lidhur me këtë temë:

“Ata duhet të bëjnë punën që u takon. Tani ka ardhur koha të bëjnë zgjedhje të vështira”.

Republikanët u përgjigjën me kritika se Presidenti ishte larguar nga Uashingtoni për të grumbulluar fonde për fushatë. Një ndër kritikët ishte republikani Mit Romni, aktualisht favoriti në anketa për të marrë emërimin e partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale:

“Ai nuk duhet të largohet nga Uashingtoni deri kur ta ketë kuptuar mirë se çfarë duhet bërë për të rigjallëruar përsëri ekonominë”.

Nuk ka dyshime se ekonomia do të jetë tema qendrore në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ndërkohë anketat tregojnë se Presidenti Obama ka një epërsi të vogël nga republikani Mit Romni për zgjedhjet e 2012 për Shtëpinë e Bardhë. David Aikman është redaktor për revistën “American Spectator”:

“Presidenti Obama është shumë efektiv në grumbullim fondesh. Ai nuk duhet nënvlerësuar, siç bënë republikanët në vitin 2008. Por fakti është që ekonomia nuk po ecën mirë dhe ai s’do të ketë mundësi të vazhdojë t’ia vërë fajin Xhorxh Bushit”.

Anketat tregojnë se demokratët vazhdojnë të jenë të bashkuar në mbështetje të Presidentit Obama për fushatën e 2012. Analisti politik Bill Shnajder thotë se të dyja partitë do të përplasen ashpër për votën e elektoratit të pavarur, një grup që në 2008 mbështeti zotin Obama:

“Mendoj se zoti Obama ka strategjinë e duhur. Ai po përpiqet t’u përmbahet politikave qendrore. Por problem të madh përbën terreni. Ky është një terren shumë i rrezikshëm, me papunësi të lartë, me çmime të larta karburanti që kanë shkaktuar deziluzion në masë”.

Që nga Lufta II Botërore, vetëm 3 presidentë amerikanë nuk kanë arritur rizgjidhen për një mandat të dytë – Xherald Ford në vitin 1976, Xhimi Karter në 1980 dhe Xhorxh H.W. Bush në 1992. Problemet ekonomike në vend ishin një faktor i rëndësishëm i disfatës së këtyre presidentëve.

XS
SM
MD
LG