Lidhje

Përshëndetja e shkrimtarit Ismail Kadare në 70 vjetorin e Zërit të Amerikës


Ashtu si për shpikjet e mëdha të shekujve të fundit, lokomotiva me avull, elektriciteti, avionet etj., edhe për shpikjen e radios është folur shumë. Në raste shpikjesh të bujshme njerëzit me të drejtë përfytyrojnë të mirat e mëdha që do të kenë prej këtyre zbulimeve, lehtësitë disa herë fantastike, horizontet e reja që i hapen befas botës.

Në kronikat e kohës mund të gjendet buja që ka bërë shpikja e radios. Ka qenë një lajm i madh për njerëzimin, një lajm i shoqëruar me shpresa, me projekte, me ëndërrime.

Ndërkaq, mund të thuhet se nga gjithë të mirat që do të kishte njerëzimi prej radios, mrekullia më e madhe, nuk besoj se do të jetë parashikuar qysh në fillim. Kjo mrekulli do të ishte roli kolosal që do të luante radioja për të shpêrndarë kudo në botë frymën dhe mesazhet e lirisë.

Kjo u bë e qartë sidomos në shekullin e 20-të. Ky ka qenë shekulli i shquar për triumfet e tiranive, por edhe për përmbysjen e tyre. Mund të thuhet se kjo kohë ka qenë me të vërtetë kohë e radios.

Duke u bërë një nga kundërshtaret më të mëdha të robërisë, radioja u kthye njëkohësisht në një nxitje për lirinë dhe demokracinë e ardhshme.

Miliona njerëz në vendet totalitare, të strukur pranë aparateve të radios, merrnin mesazhet e lirisë e të demokracisë.

Stacionet e mëdha radiofonike të botês së lirë u kthyen kështu në gjeneratorë të shpresês për gjithê njerëzimin. Midis tyre « Zëri i Amerikës » zinte një vend të pazêvendêsueshëm. Kurse për vendin tonë, Shqipêrinë, mund të thuhet se « Zëri i Amerikës » zuri vendin e parë dhe luajti rolin kryesor për nxitjen e demokracisë dhe ngjalljen e shpresës.

Në mënyrë të vetvetishme, pa ndërhyrje dhe pa organizim të veçantë, midis popullit shqiptar dhe emisionit shqip të kësaj radioje u vendos një lidhje e habitshme, emotive, që e kapêrcente kushtëzimin politik të kohës. Ky mirëkuptim i dyanshëm luajti një rol pozitiv të jashtëzakonshëm për orientimin e drejtë të shqiptarëve kudo ku ata jetonin, drejt lirisë dhe demokracisë.

Mund të thuhet plot gojën se në këte periudhë plot ngjarje dramatike, midis shqiptarëve dhe radios "Zëri i Amerikës" u krijua një histori prekëse që nuk do të harrohet kurrë.

Ismail Kadare

XS
SM
MD
LG