Lidhje

Përshkallëzohen tensionet në Rripin e Gazës


Përshkallëzohen tensionet në Rripin e Gazës

Përshkallëzohen tensionet në Rripin e Gazës

Izraeli ka shprehur keqardhje për vdekjen e pjesëtarëve të forcave egjiptiane të sigurimit në luftime me trupat izraelite dhe me persona të dyshuar si militantë palestinezë në rajonin kufitar mes dy vendeve të enjten. Autoritetet izraelite janë zotuar të hapin një proces hetimor në bashkëpunim me ushtrinë egjiptiane për të hedhur dritë mbi incidentin. Po sot më herët qeveria egjiptiane kërcënoi se do të tërhiqte ambasadorin e saj në Izrael në protestë ndaj vrasjeve. Ndërkaq, në Rripin e Gazës qindra vetë morën pjesë sot në ceremonitë mortore të palestinezëve të vrarë nga bombardimet izraelite ditën e djeshme.

Trupat e një miltanti të Xhihadit islamik, vëllait të tij dhe nipit të tyre 5 vjeçar u përcollën nga të afërmit si dhe qindra njerëz të tjerë që iu bashkuan atyre, nëpër rrugët e Qytetit të Gazës. Edhe në Deir Al Balah, po në Rripin e Gazës, u zhvilluan ceremoni mortore për dy persona të tjerë të varë gjatë sulmeve ajrore izraelite gjatë mbrëmjes së të premtes.

Dhuna mes Izraelit dhe militantëve në Gaza është shtuar ndjeshëm dy ditët e fundit. Shkak për të u bë një sulm vdekjeprurës palestinez i ndërmarrë nga territori egjiptian, ndaj Izraelit.

Nga sulmet e djeshme izraelite u vranë të paktën 12 palestinezë, shumica e tyre militantë, ndërsa 9 izraelitë u plagosën nga raketat e hedhura në Izraelin jugor.

Zëdhënësi i Brigadave al-Kuds, Abu Ahmad, u zotua për hakmarrje:

"Armiku mban përgjegjësi të plotë për ato që po ndodhin në Rripin e Gazës dhe në qytetet e pushtuara. Brigadat al-Kuds dhe rezistenca do të përgjigjen me gjithë fuqinë e tyre. Këto përshkallëzime dhune nuk mund të marrin si përgjigje një qëndrim paqësor nga ana jonë. Ne do të përgjigjemi me përshkallëzim dhe një qëndim të njëjtë nga rezistenca palestineze”.

Ndërsa nga Rramallahu, ligjvënësi palestinez Mustafa Barguti, fajëson Izraelin për nxitje të qëllimshme të trazirave:

"Izraeli po shkallëzon me qëllim dhunën në rajon në përpjekje për t’u shpëtuar problemeve të veta sociale dhe sfidave diplomatike në Kombet e Bashkuara ku palestinezët po kërkojnë në mënyrë paqësore njohjen e shtetit të tyre. Sot Izraeli po kryen masakër në Gazë”.

Pasditen e sotme, qyteti Kibbutz në Izraelin jugor u godit me artileri nga Gaza, duke shkaktuar panik tek banorët.

Sipas një banori vendas goditja e artilerisë shkaktoi dëme në disa shtëpi dhe makina.

XS
SM
MD
LG