Lidhje

Personi i akuzuar për vrasjen e adoleshentit shfaqet për herë të parë në gjyq


Banori nga Florida, pjesë e një grupi vullnetar për ruajtjen e rendit, i cili thotë se vrau një adoleshent të paarmatosur afrikano-amerikan për vetëmbrojtje doli dje për herë të parë në një seancë gjyqësore. Ky rast ka ngjallur një debat kombëtar në Shtetet e Bashkuara për racën, ligjet për vetëmbrojtje dhe kontrollin e armëmbajtjes.

George Zimmerman doli për herë të parë para një gjykatësi në Florida, një ditë pasi u dorëzua në polici në lidhje me vrasjen e 17 vjeçarit Trayvon Martin.

Ishte hera e parë që publiku shihte dhe dëgjonte zërin e George Zimmermanit. Gjykatësi tha se kishte gjetur mjaft të dhëna për ta vazhduar çështjen dhe i tha Zimmermanit se ai do të akuzohej zyrtarisht më 29 maj.

Zimmerman nuk deklaroi fajësinë apo pafajësinë dje. Ai u vetëdorëzua tek autoritetet të mërkurën në mbrëmje, pak para se Prokurorja e Posaçme Angela Corey deklaroi akuzat kundër tij. Corey u tha gazetarëve se do të luftonte për Trayvon Martin:

“Ne punojmë pa pushim për viktimat, dhe për të vënë në vend drejtësinë për ta”.

Zimmerman thotë se e qëlloi Martinin për vetëmbrojtje pasi e vuri re adoleshentin në kompleksin e tij të banesave ku jetonte babai i Martinit. Ai i tha policisë se Martin e kishte sulmuar.

Goditja ka ngjallur një reagim kombëtar dhe tubime të udhëhequra nga prindërit e Martinit që këmbëngulin se i biri është vrarë. Ata akuzojnë gjithashtu Zimmermanin se e kishte vënë në shënjestër të birin nga ngjyra e lëkurës. E ëma e Trayvon Martin, Sybrina Fulton:

“Ne thjesht donim ta arrestonim dhe këtë e arritëm”.

Shumë vetë në Sanford të Floridës ku ndodhi ngjarja, i mirëpritën akuzat.

“Të gjithë ne donim që kjo çështje të merrte rrugë dhe të arrinte në sistemin e drejtësisë”.

“Ishte i vonuar dhe jam i kënaqur që vendosën të bëjnë diçka”.

Policia në fillim nuk e akuzoi Zimmermanin për ndonjë krim për shkak të një ligji në Florida sipas të cilit një person ka të drejtë të vetëmbrohet dhe të reagojë me forcë ndaj forcës. Prokurorja Corey thotë se është e gatshme të kundërargumentojë nëse Zimmerman e përdor ligjin për vetëmbrojtje në gjykatë:

“Nëse ky ligj përdoret si argument ne do ta luftojmë, nëse mendojmë se është e arsyeshme. Nëse kthehet në problem për këtë çështje, do ta kundërshtojmë atë lloj mbrojtjeje”.

Mark O’Mara, avokat i Zimmermanit nuk dha hollësi për strategjinë e tij, por tha se klienti i tij ishte i shqetësuar se gjyqi mund të mos ishte i paanshëm:

“Ka shumë informacion rreth e rrotull dhe çështja është shumë e ngarkuar me emocione nga të gjitha anët e çështjes. Duhet që t’i qetësojmë gjakrat dhe t’ia lëmë zgjidhjen sallës së gjyqit”.

Nëse shpallet fajtor për vrasje të shkallës së dytë, Zimmerman mund të përballet me dënimin me vdekje.

XS
SM
MD
LG