Lidhje

Martin Luter King, zëri kryesor i lëvizjes për të drejtat civile në Amerikë

  • Kris Simkins

Martin Luter King, zëri kryesor i lëvizjes për të drejtat civile në Amerikë

Martin Luter King, zëri kryesor i lëvizjes për të drejtat civile në Amerikë

Memoriali i përuruar sot në Uashington, është i pari që i përkushtohet një afrikano-amerikani

Afro një muaj pas uraganit Irenë që bëri të domosdoshëm shtyrjen e përurimit të një memoriali të ri në Uashington, sot figura të larta, ndër të cilët edhe presidenti amerikan Barak Obama u mblodhën për të nderuar udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King. Dr. King ishte zëri kryesor në lëvizjen për të drejta civile dhe tani do të ketë përmendoren e vet në lulishten qendrore të Uashingtonit, pranë monumenteve që nderojnë krerët e kombit. Ky është gjithashtu memoriali i parë që ngrihet në qendër të Uashingtonit, kushtuar një afrikano-amerikani.

Martin Luther King mori famë në vitet 1950 dhe 1960 si udhëheqësi më i ri i lëvizjes pa dhunë për barazi racore.

“Madhështia e Amerikës qëndron në të drejtën për të protestuar për të drejtat”.

Dr. King, prift nga Atlanta e Xhorxhias, udhëhoqi qindra mijëra afrikano-amerikanë në kauzën për të zhdukur ndarjen racore në jug të Shteteve të Bashkuara. Lëvizja zgjoi në disa raste trazira me dhunë, ndërkohë që supremacistët e bardhë përpiqeshin të zbatonin praktika që ruanin ndarjen racore në restorante, kinema, trena, autobusë dhe shkolla.

Dr. King filloi të tërhiqte vëmendje në dhjetor 1955, kur organizoi një bojkot të autobusëve në komunën Montgomeri të Alabamës.

“Pikërisht në këtë ditë, ne vendosëm që nuk do të hipnim më në autobusë të ndarë në baza racore”.

Një vit më pas, Gjykata e Lartë mori vendimin se ligji i Alabamës për ndarjen racore në autobusë ishte jokushtetues. Ishte fitorja e parë madhore për të drejta civile e Dr. Kingut dhe lëvizjes së tij.

I përndershmi Kalvin Uds ka punuar nga afër me Dr. King në një numër protestash në Birmingam të Alabamës.

“Ai ishte njeri i thjeshtë, që mund të hynte në bisedë me këdo. Ai kishte durim të dëgjonte këdo dhe përpiqej që në çdo bisedë të arrinte mirëkuptim të mirëfilltë”.

“Kam kënaqësinë të bashkohem sot me ju në këtë organizim që do të kujtohet si demonstrata më e madhe për liri në historinë e këtij vendi”.

Më 28 gusht, 1963 më shumë se 250 mijë vetë u mblodhën në kryeqytetin e vendit në atë që u pagëzua me emrin “Marshimi në Uashington”. Fjalimi më i famshëm i Dr. Kingut ishte kurorëzimi i protestave historike për liri dhe mundësi:

“Unë kam një ëndërr, se 4 fëmijët e mi një ditë do të jetojnë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës por nga forca e karakterit”.

Aktivistja për të drejta civile Barbara Arnwine thotë se fjalimi i Dr. Kingut u dha shpresë shumë vetave:

“Ai i bëri thirrje vendit të kishte ambicje të larta, të kishte aspirata në çdo drejtim, pasi kur është fjala për barazi racore, vetëm kur ka unitet, vendi mund të jetë i fortë”.

Ëndrra e Dr. Kingut për një Amerikë më të mirë filloi të marrë formë në vitin 1964. Në moshën 34 vjeçare ai u bë fituesi më i ri i Çmimit Nobel të Paqes. Po në atë kohë, lëvizja për të drejta civile arriti me sukses të nxisë ligjvënësit dhe Presidentin Lindon Xhonson të miratonin ligjin e vitit 1965 për të Drejtat Civile dhe të Drejtat e Votës, që nxirrnin jashtë ligji ndarjet racore në vende publike si dhe praktikat diskriminuese që nuk i lejonin afrikano-amerikanët të votonin.

“Dua t’u them amerikanëve dhe popujve në botë se ne afrikano-amerikanët jemi ngritur në këmbë dhe s’ka valë racizmi që mund të na ndalë”.

Pak vite pas këtyre arritjeve, në prill 1968 Dr. King u vra në Memfis të shtetit Tenesi.

Më shumë se 4 dekada më pas, vendi po nderon Martin Luther Kingun dhe vizionin e tij për barazi racore me një përmendore në Uashington. Objekti kryesor i përmendores është “Guri i Shpresës”, një skulpturë e madhe graniti ku shihet Dr. King që ka hedhur vështrimin drejt përmendoreve të presidentëve.

Heri Xhonson është president i fondacionit që punoi për ndërtimin e përmendores me vlerë 120 milionë dollarë.

“Kur kalon pranë përmendores, duam që vizitori të ketë një përjetim sureal, në mënyrë që të shohë dhe të analizojë në mendjen e vet atë që ka bërë Dr. King, por mbi të gjitha kuptimin e veprës së tij sot për ne që nuk e kemi takuar kurrë”.

Vernon Roberts, një vizitor nga Nju Xhërsi, thotë se memoriali i Martin Luther Kingut është unik:

“Na jep ne afrikano-amerikanëve një perspektivë të ndryshme nga ajo që ofrojnë përmendoret e presidentëve. Na jep mundësinë për të studiuar, për të arrirë. Është një formë inkurajimi për të gjithë ne”.

Ata që ndihmuan për ngritjen e përmendores së Martin Luther Kingut thonë se do të jetë një nderim i pavdekshëm për një njeri që iu përkushtua paqes dhe përpjekjeve për demokraci, drejtësi dhe përmirësimit të jetës së afrikano-amerikanëve.

XS
SM
MD
LG