Lidhje

Përurohet portreti zyrtar i kongresmenit Tom Lantosh

  • Ilir Ikonomi

Përurohet portreti zyrtar i kongresmenit Tom Lantosh

Përurohet portreti zyrtar i kongresmenit Tom Lantosh

Në Uashington u bë përurimi i portretit zyrtar të njërit prej mbrojtësve të shquar të të drejtave të njeriut në Kongresin amerikan, ligjvënësit Tom Lantosh. Kongresmeni demokrat me origjinë hungareze, i cili vdiq në vitin 2008, ka qenë kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve. Për shqiptarët, ai u bë i njohur sidomos me interesimin që tregoi ndër vite rreth gjendjes në Kosovë dhe më pas me kërkesën këmbëngulëse që Kosovës t’i jepej pavarësia.

Portreti zyrtar i ligjvënësit të njohur Tom Lantosh u përurua në sallën e Kongresit, ku zakonisht zhvillohen seancat dëgjimore të Komisionit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Portreti u përurua nga e veja e zotit Lantosh, Annette.

Tom Lantosh ka qenë kryetar i Komisionit, por ai do të mbahet mend veçanërisht si një mbrojtës i palodhur i të drejtave të njeriut në botë. Në ceremoni folën shumë kolegë të zotit Lantosh, si demokratë ashtu edhe republikanë.

Tom Lantosh ishte bir i një familjeje hebrejsh hungarezë, i cili i kaloi në Budapest vitet e pushtimit nazist të Hungarisë dhe pastaj erdhi me një bursë studimi në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1981, ai u bë i vetmi i mbijetuar i Holokaustit që zgjidhej në Kongresin amerikan.

Në ceremoni ishte edhe ish Kongresmeni Xho DioGuardi, i cili drejton organizatën lobiste Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Ai kishte ardhur bashkë me një grup përkrahësish. E bija e zotit Lantosh, Katrina Swett, thotë se i ati i saj tregonte interesim të veçantë për shqiptarët.

“Babai im fliste me pasion për shqiptarët dhe, mes nesh, ky ishte një objekt i zakonshëm dhe i shpeshtë bisedash”

Bashkëshorti i saj, Richard Swett, ka qenë kongresmen dhe ambasador.

“Lantosh ishte i pari që shkoi në Shqipëri dhe në Kosovë. Pra marrëdhëniet e tij me shqiptarët ishin të hershme dhe të thella.”

Ish kongresmeni Xho DioGuardi ruan shumë kujtime nga kolegu i tij Tom Lantosh. Ai tregon se si në maj të vitit 1990, në një kohë mjaft të vështirë për Kosovën, shkoi me zotin Lantosh në Kosovë, ku vizituan Gjakovën dhe Prishtinën.

“Përballë Hotelit Grand në Prishtinë ishin mbledhur dhjetra mijra njerëz. Dhe Lantosh ishte atje. Ishte njëlloj sikur të përballeshe me Millosheviçin, sepse trupat dhe tanket e tij ishin kudo. Kurrë nuk do të harroj se si kongresmeni Lantosh hapi dritaren e dhomës, u hodhi një vështrim njerëzve dhe ata u përgjigjën duke thirrur: USA, USA. Në atë çast mu kujtuan fjalët e Fan Nolit: Mbahu nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë.”

Zoti DioGuardi tregon se ata e vazhduan udhëtimin e tyre nga Kosova për në Shqipëri dhe në Tiranë takuan presidentin e atëhershëm Ramiz Alia:

“Mesazhi i Tom Lantoshit për Ramiz Alinë ishte i thjeshtë: Ju e patë rënien e Murit të Berlinit. Kur do ta shembni murin e komunizmit në Shqipëri? Këtu duhet të vendoset demokracia. Dhe e dini ç’ndodhi? Një muaj më vonë, njerëzit filluan të hyjnë nëpër ambasadat e huaja. Pra, Tom Lantosh pati të bënte shumë me vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe pa atë, nuk mendoj se Kosova do të ishte sot e pavarur.”

Shirley Cloyes DioGuardi e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, thotë se Lantosh ishte anëtari i parë i Kongresit amerikan që vizitoi komunitetet shqiptare në Mal të Zi në vitin 2003, për të dëgjuar zërin e tyre.

“Ai punoi me mua një vit për të përgatitur delegacionin që më pas shkoi në Mal të Zi e që arriti mjaft rezultat dhe bëri histori. Ai e vazhdoi këtë punë deri në ditën që vdiq.”

Portreti i kongresmenit Tom Lantosh do të vendoset në muret e kësaj salle krahas portreteve të ligjvënësve të tjerë që kanë kryesuar në vite Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG