Lidhje

Baltimora feston 200 vjetorin e një beteje historike


Ngjarja u bë frymëzim për vargjet e himnit kombëtar amerikan

Më 4 korrik, amerikanët festojnë Deklaratën e Pavarësisë që u shpall më 4 korrik 1776. Kjo datë shënoi fillimin e një lufte 7 vjecare për pavarësinë nga Britania. Disa dekada më pas, Shtetet e Bashkuara hapën prapë luftë kundër Britanisë. Shumë amerikanë nuk e njohin luftën e vitit 1812 dhe Betejën e Baltimorës por ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë 200 vjetorin e kësaj lufte, disa historianë vecanërisht në Merilend duan që ajo të bëhet më e njohur.

Të shtënat e topit ishin vetëm për spektakël. Por 200 vjet më pare ishte ndryshe, kur mbi 10 anije britanike bombarduan një fortesë në hyrje të portit të Baltimorës.

Vincent Vaise është kryehistorian në Fort McHenry, që tani është Monument Kombëtar.

“Nuk ishte si sot që është ditë e bukur. Binte shi i rrëmbyer. Frynte erë”.

“Raketat godisnin fortesën, bombat shpërthenin. Përreth fortesës mund të dëgjoje dridhjet, tronditjet”.

Ishte viti 1814. Historiani Burt Kummerow është kreu i Shoqërisë Historike të Merilendit.

Ai thotë se beteja e Baltimorës ishte një pike kthese në luftën që kishte filluar dy vjet më pare.

“Amerikanët u shpallën luftë britanikëve sepse nuk duronin dot më konfliktet që vazhdonin në det të hapur. Anijet britanike nuk I linin të qetë”.

Një ekspozitë në këtë shoqatë I hedh një vështrim rolit të Merilendit në luftë. Baltimora, qytet port dhe më i madhi i shtetit, ishte në shënjestër.

“Sepse Baltimora kishte reputacionin që i shkaktonte gjithmonë probleme flotës tregëtare britanike. Lëshonte anije në ujë, sepse kjo ishte një zone e njohur për ndërtimin e anijeve, si edhe sulmonin britanikët”.

Më 13 shtator, 1814 anijet britanike sulmuan McHenry-n në një përpjekje për të marrë nën kontroll qytetin.

Ajo betejë mbahet mend kryesisht falë Francis Scott Key, një avokat amerikan që ishte pranë lumit duke ndjekur zhvillimet me një xham zmadhues në lindje të diellit.

“Ai nuk ishte i sigurt se kush e fitoi luftën, por pastaj pa flamurin të ngrihej mbi fortesë dhe e kuptoi që ishte një fitore madhështore morale dhe shkroi vargjet e këngës që më pas u njoh si “The Star Spangled Banner”, thotë Vincent vaise.

Flamuri që ngrihet cdo ditë në Fort McHenry është vetëm sa gjysma e atij që frymëzoi Key që të shkruante himnin kombëtar.

Vargjet e shkruara me dorë nga Key, janë të ekspozuara në Shoqatën Historike.

“Ai shkroi tekstin për muzikën. Muzika kishte ekzistuar prej 35-40 vjetësh. Ishte shkruar në një klub zotërinjsh anglezë”.

Turistët vijnë në Fort McHenry për të dëgjuar këtë histori, por Vincent Vaise thotë se shpreson që ata të njihen edhe me një tjetër trashëgimi të luftës së 1812-ës.

“Që ne nuk ishim më një ish-koloni. Ne ishim një vend i ri, energjik që po zhvillohej”.

Flamuri dhe himni u bënë simbole të fuqishme të atij optimizmi.
XS
SM
MD
LG