Lidhje

200 vjetori i himnit amerikan


Këtë vit, qyteti i Baltimorës, në shtetin e Marylandit feston rolin që pati në lindjen e himnit kombëtar të Amerikës. Korrespondentja Katherine Cole e Zërit të Amerikës vizitoi portin për të mësuar më shumë për historinë e këngës dhe se si po ri-interpretohet ajo 200 vjet më vonë.

Anëtari i Agjencisë së Shërbimit të Parqeve, Vince Vaise (Vays) është ciceroni kryesor në fortesën McHenry në portin e Baltimorës. Ai thotë se dy nga simbolet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara erdhën nga një sulm britanik ndaj fortesës gjatë luftës së vitit 1812.

“Flamuri amerikan dhe himni kombëtar. Flamuri ekzistonte por ende nuk ishte shumë i njohur. Ishin pikërisht vargjet e Francis Scott Key dedikuar flamurit, kur e pa të valëvitej mbi fortesë, 200 vjet më parë, në 14 shtator të vitit 1814, që e bënë flamurin një nga simbolet kryesore kombëtare të Shteteve të Bashkuara.”

Mbrëmjen e 13 shtatorit, 1814, britanikët bombarduan Fortesën McHenry dhe gjatë natës rrojet po përpiqeshin të kuptonin në se fortesa kishte rënë apo jo. Por kur doli dielli të nesërmen në mëngjes, pamja e flamurit amerikan duke u valëvitur mbi fortesë e nxiti poetin dhe avokatin Francis Scott Key, të shkruante një vjershë të cilën e titulloi “Mbrojtja e Fortesës McHenry”.

“Zgjedhja e fjalëve ishte shumë e rëndësishme për të. Në dërëshkrimin origjinal të poemës shihet se ai i ka ndryshuar disa herë disa fjalë”

Zoti Vaise thotë se Francis Scott Key nuk shkoi menjëherë në Uashington për të njoftuar se kishte shkruar himnin kombëtar për kombin e tij të ri.

“E kundërta ndodhi. Francis Scott Key ia dha këto vargje kunatit dhe mikut të tij, që ishte kapiten në fortesë gjatë betejës. Pra ai mund t’ja ketë dhënë si një gjë personale për t’i treguar se çfarë kish shkruar.”

Kunati i tij filloi të shpërndante kopje të poemës dhe shpejt ajo u shfaq në gazeta me titullin: “The Star Spangled Banner”, “Flamuri i Larë me Yje”. Dikush i vendosi këtyre reshtave, tingujt e një kënge të vjetër britanike dhe brenda pak javësh ajo filloi të këndohej përtej Merilendit.

Punonjësi tjetër i shërbimit të parqeve Kristin Schenning thotë është interesante si poema që u bë më pas himni kombëtar i Amerikës nuk është rreth luftës por rreth flamurit.

"Po, ajo flet rreth një beteje, por ka të bëjë më shumë me emocionet që përjeton Francis Scott Key. Kjo nuk është domosdoshmërisht për armët, dhe mposhtjen e britanikëve. Është në lidhje me idenë e flamurit që valvitet mbi vendin e lirë dhe vendin e të guximshmëve”.

Kënga “The Star Spangled Banner” u bë zyrtarisht himni i Shteteve të Bashkuara në vitin 1931. Zoti Schenning thotë se për shumë njerëz ende ka një lidhje të fortë mes flamurit dhe këngës, gjë që shpjegon arsyen përse disa njerëz reagojnë me aq emocion kur dëgjojnë këngën të interpretohet në mënyra jo-tradicionale.

Interpretimi i Jimi Hendrix është një nga 15 të tillat që është përfshirë në një ekspozitë në Muzeun e Historisë dhe Kulturës Amerikane në Baltimorë. Ekspozita e titulluar “For Whom It Stands”, “Për Kë Qëndron Ai?” sjell së versione alternative të himnit si pjesë e festimeve të 200 vjetorit..

Trego komentet

XS
SM
MD
LG