Lidhje

Përvjetori i katastrofës në Japoni – kompania Tepco përpiqet të mbijetojë


Gjatë vitit të kaluar, kompania në qendër të katastrofës bërthamore në Japoni ka qënë objekt i një numër kritikash nga qeveria, publiku dhe faktori ndërkombëtar. Tani, kompania elektrike e Tokios po kërkon të shmangë një plan për futjen e saj nën kontrollin e qeverisë. Kjo e gjitha është pasojë e tërmetit me magnitudë 9 ballë që rezultoi në një cunam vdekjeprurës që përfshiu uzinën bërthamore Fukushima-1 duke shkaktuar shkrirjen e tre reaktorëve.

Përballur me dhjetra miliarda dollarë kompensime, kosto pastrimi dhe eventualisht çmontimit e uzinës së Fukushimash, kompania elektrike e Tokios e njohur si TEPCO, po lufton tani të mbijetojë.

Njoftimet e medias bëjnë të ditur se në këmbim të dhënies së një fondi publik prej 10 miliardë dollarësh, qeveria do të marrë nën kontroll pjesën më të madhe të kompanisë.

Japania është mbështetur në impiantet bërthamore për gati një të tretën e energjisë, por tani ka nisur një debat i ri rreth së ardhmes së energjisë bërthamore.

Mund të pritet që me investimet e mëdha të TEPCOs, kompania do të lobojë fuqishëm në mbështetje të energjisë bërthamore.

Por në korridoret e errëta të selisë së saj, kompania po tregohet e kujdesshme.

Në një intervistë të rrallë televizive për mediat e huaja, zëdhënësi i kompanisë Yoshimi Hitosugi i tha Zërit të Amerikës se TEPCO është e përqëndruar në mbajtjen e centralit bërthamor në gjendje të stabilizuar dhe në përmbushjen e detyrimeve të kompensimit.

"Këtë po bëjmë tani për tani. Përsa i përket pyetjes për politikat energjetike, për momentin nuk jemi në pozita për të deklaruar cfarë mendojmë".

Një hetim i pavarur kohët e fundit në reaktorin e shkrirë të Fukushimës doli në përfundimin se TEPCO ishte "jashtëzakonisht e papërgatitur" për katastrofën.

Por personi që ishte drejtuesi i qeverisë japoneze më 11 mars, Naoto Kan, thotë se kompania nuk është e vetmja që duhet fajësuar.

"Mendoj se në shumë mënyra aksidenti i Fukushimës ishte njerëzor. Kjo do të thotë se as qeveria ime apo administratat e mëparëshme nuk morën masat e duhura për këtë lloj aksidenti. Kështu që shumë nga përgjegjësitë bien mbi administratën time dhe sigurisht mbi mua".

Askush deri tani nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale për shkrirjen e reaktorit, i cili përhapi rrezatim mbi ferma, komunitete të largëta dhe deri në det.

Zyrtarët llogarisin se do të duhen 40 vjet për të pastruar dhe çmontuar centralin bërthamor Fukushima-1. Disa qytete pranë tij mund të mos jenë të banueshme asnjëherë.

Mijëra punonjës të TEPCOs po shqyrtojnë tani ankesat e viktimave, pas kritikave se procesi ka qënë shumë i ngadaltë.

Zëdhënësi i kompanisë Hitosugi premton se kompensimi do të jetë “i bollshëm dhe i mjaftueshëm” kur ankesat të klasifikohen si duhet.

"Ne duam të shprehim keqardhjen tonë të thellë për njerëzit në mbarë botën që u kemi shkaktuar këto shqetësime. Me ndihmën e kompanive të tjera ne po punojmë për të mbajtur reaktorët në gjendje të qëndrueshme për momentin.

TEPCO do të njoftojë së shpejti se do të duhet të rrisë çmimin e energjisë. Paratë shtesë dhe fondet masive publike thotë kompania, janë të nevojshme për të furnizuar me energji 45 milionë njerëz.

XS
SM
MD
LG