Lidhje

Peshëngritsja myslimane ndryshon rregullat e konkurrimit

  • Tala Hadavi

Peshëngritsja myslimane ndryshon rregullat e konkurrimit

Peshëngritsja myslimane ndryshon rregullat e konkurrimit

Shumica e sporteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar kanë rregulla specifike të uniformës. Në sportet që janë si për femrat, ashtu edhe për meshkujt, rregullat janë pothuajse njësoj. Por Tala Hadavi i Zëri të Amerikës takoi një grua që sfidoi rregullat për uniformën e peshëngritjes dhe fitoi.

Kulsoom Abdullah është një peshëngritëse e apasionuar që ka konkuruar në këtë sport për shumë vjet. Por ajo është gjithashtu një myslimane e devotshme dhe deri kohët e fundit, ajo nuk mund të konkuronte në ndeshjet në nivel kombëtar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të veshjes së saj myslimane që kërkon mbulimin e kokës, krahëve dhe këmbëve. Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes kërkon që të gjithë sportistët të veshin kostumin e ngushtë pa mëngë dhe të shkurtër, për të lejuar jurinë të shohë teknikën e përdorur.

“Më ndikonte emocionalisht, pasi kur ngre pesha nuk duhet ta vrasësh mendjen për asgjë tjetër. Duhet të kesh vullnet të fortë dhe besim. Ishte e vështirë, por unë prapë përpiqesha të bëja maksimumin tim”.

Kur Abdullah u kualifikua vitin e kaluar për në kampionatin U.S. Open, në moshën 34 vjecare, ajo nuk u lejua të merrte pjesë, për shkak të veshjes së saj. Kështu që ajo vendosi ta merrte situatën në dorë. Së pari kontaktoi Federatën amerikane të Peshëngritjes, organizata që administron këtë sport.

“Shkrova një letër, ku shpjegoja situatën time, ku thoja si kam qenë e angazhuar në këtë sport dhe se do të doja të shihja në se mund të zgjidhja me ta situatën time – çfarë mund të vishja që nuk do të më jepte avantazh ndaj konkurrenteve të tjera, por do të më lejonte të isha e mbuluar. Por mora përgjigje negative, pasi ata zbatonin rregullat e vendosura nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes”.

Por Abdullah nuk e la me kaq çështjen. Hapi i saj i mëpasshëm ishte kontakti me Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike. Zëdhënësi i grupit, Ibrahim Hooper, donte ta ndihmonte.

“Kontaktuam Komitetin Olimpik Amerikan dhe iu kërkuam të na ndihmonin në takimin me Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes që zhvillonte një konferencë së fundmi në Malajzi”.

“Sapo u dha informacioni, gazetarët po më telefononin dhe po më dërgonin email për të më kontaktuar. Ishte një surprizë shumë e madhe. Pastaj e pashë lajmin në internet dhe thashë – është e habitshme, por do të vazhdoj përpjekjet e mia.”

Dhe ashtu bëri. Ajo krijoi një prezantim të detajuar për takimin e Federatës, ku parashtronte kërkesat e besimit të saj fetar dhe se si mund të përmbusheshin ato pa kompromentuar sportin apo pa dhënë avantazh në konkurim. Vetëm dy ditë më vonë, federata e ndryshoi rregullin. John Duff është shefi ekzekutiv për peshëngritjen në Shtetet e Bashkuara.

“Rregulli i ri i vendosur nga Federata lejon një sportist të konkurojë duke veshur një kostum që mbulon gjithë trupin. Ai mbulon bërrylat dhe gjunjtë që më parë nuk lejohej, për shkak të natyrës teknike të ekzekutimit të ngritjes së peshave”.

Ibrahim Hooper merret përditë me çështje si ajo e zonjës Abdullah. Ai mendon se vendimi ka ndikimtë madh.

“Shpesh na thuhet se gratë myslimane duhet të fuqizohen dhe jemi dakort me këtë. Nuk ka mënyrë më të mirë për të fuqizuar një grua myslimane, duke e lejuar atë të ushtrojë sportin e peshëngritjes. Ishte një rast simbolik që dërgon një mesazh për gratë myslimane dhe të tjera në mbarë botën, se gratë mund të marrin pjesë në çdo fushë të jetës. Ato mund të marrin pjesë në çdo sport dhe të ruajnë parimet e fesë së tyre”.

Në kampionatin e saj të parë kombëtar më 15 korrik – veshur me uniformën e re – ëndërra e zonjës Abdullah u bë realitet. Megjithëse ishte nervoze, ajo arriti të zerë vendin e pestë nga gjashtë konkurrente në grupin e peshës 48 kilogram.

“Do të doja të provoja edhe më shumë peshë, por isha nervoze. Pas provës së parë, pata më tepër besim. Ajo ishte më e vështira. U çlirova kur gara përfundoi, por tani jam e gëzuar që e provova atë eksperiencë”.

Konkurrentja Suzanne Sanchez, e cila zuri vendin e dytë e mbështet rregulloren e re të Federatës.

“Mendoj se rregullorja e bën sportin më konkurrues. Ka vetëm 80 vende që kanë ekipe femrash në peshëngritje. Nga këto, vetëm Egjipti është vend mysliman që ka ekip në peshëngritje”.

Ndoshta Kulsoom Abdullah nuk do të fitojë asnjëherë një medalje olimpike, por për këtë pakistanezo-amerikane, që punoi shumë vetëm për të qënë në gjendje të hyjë në garë – ëndrra është realizuar.

XS
SM
MD
LG