Lidhje

Peshkatari: 13 muaj në Oqeanin Paqësor


Jose Salvador Alvarenga, nga El Salvadori, u kthye në shtëpi. Para gazetarëve në aeroport, mundi vetëm të mbulonte fytyrën me duar duke filluar të qajë

Një peshkatar nga El Salvadori që thotë se kaloi 13 muaj në mëshirë të fatit në Oqeanin Paqësor u kthye në shtëpi.

Jose Salvador Alvarenga u përpoq t’u kthejë përgjigje gazetarëve që po e prisnin në aeroportin e San Salvadorit, por mundi vetëm të mbulonte fytyrën me duar dhe filloi të qajë.

Alvarenga thotë se ai lundroi për më shumë se 10 mijë kilometra përmes Paqësorit me një varkë të vogël nga Meksika para se të dilte në breg dy javë më parë në ishujt Marshall.

37 vjeçari i humbur në det tha se mbijetoi duke ngrënë peshq të gjallë, breshka dhe duke pirë gjak shpendësh. Ai tha se partneri i tij i peshkimit Ezequiel Cordoba vdiq pas një muaji në këtë udhëtim raskapitës.

Disa kanë hedhur dyshime për historinë e Alverangës, por zyrtarët meksikanë thanë se një varkë e vogël me dy persona në bord u zhduk gjatë një moti të keq më 17 nëntor 2012 dhe nuk u gjet asnjë gjurmë e tyre, megjithë përpjekjet intensive të kërkimit.
XS
SM
MD
LG