Lidhje

Presidenti Obama thirrje Izraelit dhe palestinezëve të shfrytëzojnë mundësitë për paqe

  • Dan Robinson

Presidenti Barack Obama thotë se izraelitët dhe palestinezët duhet ta shfrytëzojnë mundësinë për të arritur paqe të qëndrueshme që u ofrohet me rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta. Zoti Obama u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu; presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, dhe me udhëheqës të tjerë nga Lindja e Mesme para hapjes zyrtare sot të bisedimeve të drejtpërdrejta në Departamentin e Shtetit.

Presidenti Obama mirëpriti një nga një në Zyrën Ovale udhëheqësit e Izraelit, të Autoritetit Palestinez, Jordanisë dhe Egjiptit, në këtë përpjekje të vrullshme për të çuar përpara çështje që kanë qenë të zorshme për presidentët e mëparshëm amerikanë.

Në një nga tri paraqitjet para kamerave televizive me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton përkrah, Presidenti Obama foli për bisedat që ka pasur me Kryeministrin Netanyahu dhe Presidentin Abbas.

“Siç u thashë të dyve sot, ky rast mund të mos përsëritet. Nuk mund të lejojnë që t’u ikë nga duart. Tani është koha për udhëheqës guximtarë dhe vizionarë që t’ua sjellin popujve të tyre paqen që meritojnë”.

Presidenti Obama tha se qëllimi i bisedimeve është zgjidhja e të gjitha çështjeve për statusin përfundimtar dhe negocimi i një marrëveshjeje që çon në themelimin e një shteti palestinez të pavarur, demokratik dhe të qëndrueshëm, që ekziston në paqe dhe siguri bashkë me shtetin e Izraelit.

Ndër çështjet kyçe në bisedimet e drejtpërdrejta është pezullimi i pjesëshëm dhjetëmujor i ndërtimeve në vendbanimet e reja në Bregun Perëndimor. Pezullimi skadon më 26 shtator dhe pala palestineze ka këmbëngulur që Izraeli të zgjasë moratoriumin për ndërtime.

Kryeministri Netanyahu ka theksuar nevojën për njohjen e Izraelit nga pala palestineze, për zotimin e tyre për masa të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë, si dhe për dhënien fund dhunës.

Para një darke pune, të pesë udhëheqësit u paraqitën para medias në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë për të folur rreth qëllimit kryesor – arritjes së një marrëveshje brenda vitit të ardhshëm për konfliktin izraelito-palestinez.

Ndërsa kthehej shpesh nga Presidenti Abbas, Kryeministri Netanyahu tha se kishte ardhur për të gjetur një kompromis historik që do t’u mundësojë izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.

“Të mos na pengojnë dallimet mes nesh. Ta drejtojmë guximin, të menduarit dhe vendimet tona drejt atyre vendimeve historike që ndodhen para nesh”.

Presidenti Abbas, duke folur me ndihmën e një përkthyesi, tha se ka ardhur koha për të bërë paqe, për t’i dhënë fund okupimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli dhe që dy popujt të jetojnë pranë njëri-tjetrit.

“Është koha që të themelohet një shtet sovran palestinez përkrah shtetit të Izraelit. Është koha që t’i jepet fund luftës në Lindjen e Mesme”.

Duke thënë se paqja në Lindjen e Mesme ka qenë shpresë e pakapshme për dy dekada, zoti Mubarak i bëri thirrje Izraelit të pezullojë ndërtimin e vendbanimeve, ndërsa Mbreti i Jordanisë, Abdullah, foli për rrezikun e dështimit.

Sot në Departamentin e Shtetit, Sekretarja Clinton do ta shpallë zyrtarisht rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta dhe më pas Kryeministri Netanyahu dhe Presidenti Abbas do të bëjnë deklarata publike, para se të fillojnë bisedimet private. I dërguari në Lindjen e Mesme, George Mitchell, planifikon t’i njoftojë gazetarët më vonë gjatë ditës.

XS
SM
MD
LG