Lidhje

Peticion për shkarkimin e gjykatësit në Kaliforni


Mbi një milion njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet për të kërkuar heqjen e një gjykatësi në Kaliforni pas dënimit të butë që ai dha për një student, i cili u gjet fajtor për përdhunimin e një vajze.

Gjykatësi në Santa Clara, Aaron Persky, e dënoi atletin e universitetit Stanford, Brock Turner, me 6 muaj burg dhe tre vjet lirim me kusht për përdhunimin e një studenteje që për shkak të gjendjes së saj të dehur, ishte rrëzuar pa ndjenja. Incidenti ndodhi vitin e kaluar në mjediset e kampusit universitetar.

Turner u gjet fajtor nga një juri për tre akuza: sulm për përdhunim të një personi pa ndjenja, depërtim seksual të një personi pa ndjenja dhe depërtim seksual të një personi të dehur.

Turner pritet të qëndrojë vetëm tre muaj në sistemin tejet të mbipopulluar të burgjeve të Kalifornisë. Të burgosurit, që nuk kanë probleme disiplinore në përgjithësi lirohen pas përfundimit të gjysmës së dënimit.

Dënimi i butë dhe një letër për gjykatësin nga babai i të pandehurit kanë ngjallur zemërim në të gjithë vendin.

Nënpresidenti Joe Biden, i cili më 1994 nënshkroi aktin ligjor për mbrojtjen e grave nga përdhunimi dhe është përfshirë në fushatën e Shtëpisë së Bardhë kundër dhunës në kampuset universitare, ka shkruar një letër të hapur në adresë të studentes: "Jam i mbushur me zemërim të madh për atë që ju ndodhi dhe për faktin që ju jeni e detyruar të viheni në mbrojtje të vlerave tuaja, për shkak të një kulture që toleron gjëra të tilla. Ju jeni një luftëtare", shkruan nënpresidenti Biden.

E reja 23-vjeçare, i cila nuk është identifikuar, lexoi me zë të lartë një letër të ashpër në sallën e gjyqit, në adresë të sulmuesit të saj.

Gruaja tha: "Mendova se çështja kurrë nuk do të shkonte në gjyq; dëshmitarë kishte, dhe pisllëk mbi trupin tim; ai iku me vrap por u kap. Mendova se do të kërkonte falje dhe çështja do të mbyllej jashtë gjyqit. Por ndodhi ndryshe, mua më thanë se ai kishte marrë një avokat të fuqishëm, ekspertë si dëshmitarë dhe hetues privatë për të gjetur hollësi mbi jetën time personale ... "

Dy suedezë, që po ecnin me biçikleta, ndërhynë në vendin e ngjarjes për ta ndaluar përdhunuesin. Turner iku me vrap, por ata e kapën. Gruaja thotë në letrën e saj se kur policia mbërriti, një prej suedezëve “po qante aq shumë, sa nuk mund të fliste dot për atë që kishte parë.”

Në letrën e studentes drejtuar përdhunuesit të saj, e publikuar në Internet, thuhet: “Nëse një vajzë rrëzohet, ndihmoje të ngrihet; nëse ajo është tepër e dehur sa nuk ecën dot dhe rrëzohet, mos e abuzo atë...”

Babai i Turnerit i shkroi një letër gjykatësit për të minimizuar veprimet e djalit të tij dhe ankohet për pasojat me të cilat Turner tani përballet.

"Jeta e tij kurrë nuk do të jetë ajo që Turner kishte ëndërruar dhe punuar aq shumë për të arritur", shkruan i ati, Dan Turner. "Ky është një çmim i lartë për ato 20 minuta krahasuar me 20 vjetët e tjera të jetës së tij. Fakti që tani Turner duhet të regjistrohet si i dënuar për krime seksuale, do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës dhe do të ndikojë për gjithshka, ku do të jetojë, ku do të punojë, ku do të shokjë” , i shkruan Dan Turner gjykatësit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG