Lidhje

Drejtori i CIA-s takohet me homologun e tij pakistanez


Analistët nuk presin shumë nga ky takim me dyer të mbyllura, ku do të diskutohet lufta kundër terrorizmit

Kreu i agjencisë së zbulimit ISI të Pakistanit, Gjeneral-lejtnant Zahir ul-Islam, gjendet në Uashington ku do të zhvillojë një takim me drejtorin e CIA-s David Petraeus, vizita e parë e këtij lloji që nga operacioni i fshehtë amerikan në Pakistan në të cilin u vra Osama bin Ladeni, para më shumë se një viti. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Sean Maroney, nuk pritet shumë nga takimi me dyer të mbyllura në të cilin do të diskutohet për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.

Pas një viti të marrëdhënieve jo të mira mes Uashingtonit dhe Islamabadit nënshkrimi i marrëveshjes për të rihapur rrugët e furnizimit në Pakistan për trupat e NATO-s në Afganistan muajin e kaluar ka përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Por analistët presin që ky përparim të jetë jetëshkurtër, ndërkohë që kreu i shërbimit inteligjent të Pakistanit Zahir ul-Islam do të takohet me drejtorin e CIA-s David Petraeus. Të dyja palët kanë dallime të fuqishme lidhur me sulmet me avionë pa pilotë dhe sigurinë përgjatë kufirit të Pakistanit me Afganistanin.

Uashingtoni ka refuzuar kërkesat për të ndalur sulmet me avionë pa pilotë kundër militantëve në Pakistan ose ndarjen e kësaj teknologjie me Islamabadin. Në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë vazhdojnë t’i bëjnë presion Pakistanit që t’i vë nën kontroll rajonet ku fshihen militantët. Ministri pakistanez i Informacionit Qamer Zaman Kaira i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara e kanë gabim.

“Kjo zonë kufitare kontrollohet nga forcat amerikane dhe ata duhet të përqëndrohen në të. Pakistani mendon se nuk ka asnjë strehë të sigurt të militantëve në territorin e tij”.

Zoti Kaira thotë se Afganistani është vendstrehim i militantëve. Dhe ushtria pakistaneze fajëson sulmet ndërkufitare nga Afganistani për vrasjen e më shumë se 100 njerëzve vitin e kaluar.

Zyrtarët amerikanë nuk pajtohen me këtë vlerësim. Ata duan që Islamabadi t’i luftojë grupet militante si rrjeti Haqqani që është i lidhur me al-Kaidën dhe që besohet se i ka bazat në zonat fisnore të Pakistanit. Ata fajësojnë këtë grup për sulmet në Kabul dhe në lindje të Afganistanit, të ngjashme më sulmin e 1 qershorit kundër një baze amerikane pranë kufirit pakistanez. Rrjeti Haqqani ka publikuar një video të këtij sulmi në internet e cila nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.

Ahmad Majidyar është analist në Institutin American Enterprise. Ai thotë se amerikanët po humbasin durimin ndërkohë që NATO po përgatitet për tërheqjen e trupave luftarake nga Afganistani në vitin 2014.

“Nëse në të ardhmen Pakistani nuk ndërmerr veprime kundër rrjetit Haqqani, Shtetet e Bashkuara do të duhet të ndërmarrin veprime të njëanshme, sepse ai grup mbetet një kërcënim ekzistencial për qeverinë afgane”.

Zoti Majidyar thotë se ky veprim mund të bëhet përmes shtimit të sulmeve me avionë të telekomanduar ose operacioneve të forcave speciale, si ai që vrau udhëheqësin e al-Kaidës Osama Bin Laden në Pakistan. Por ai paralajmëron se një veprim i tillë do të përkeqësonte edhe më tej marrëdhëniet SHBA-Pakistan.

XS
SM
MD
LG