Lidhje

Jep dorëheqjen kreu i CIAs Petreas


Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit amerikan, gjenerali Dejvid Petreas, dha dje dorëheqjen pasi pranoi se kishte patur lidhje jashtë martesore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se Presidenti Barak Obama e pranoi dorëheqjen e gjeneralit Petreas dhe shprehu besimin e tij për të ngarkuarin me funksionet e drejtorit, Majkëll Morell.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar punonjësve të CIA-s, gjeneral Petreas tha se shkoi në Shtëpinë e Bardhë të enjten dhe i kërkoi presidentit ta lejonte të jepte dorëheqjen nga posti i drejtorit të CIA-s.

Petreas tha se kishte “gjykuar jashtëzakonisht dobët”, duke hyrë një një marrëdhënie jashtëmartesore dhe se një sjellje e tillë është e papranueshme.

Presidenti Obama bëri një deklaratë me shkrim dje, në të cilën thoshte se kishte pranuar dorëheqjen e gjeneralit dhe e vlerësonte atë për “shërbimin e jashtëzakonshëm”prej disa dekadash për Shtetet e Bashkuara.

Presidenti thotë në deklaratën e tij se Petreas e “ka bërë vendin tonë më të sigurt dhe më të fortë”. Zoti Obama thotë gjithashtu se ka besim të plotë tek i ngarkuari me funksionet e drejtorit, Majkëll Morell, i cili ka qënë zëvendësi i gjeneralit Petreas.

Dejvid Petreas ka qënë i martuar për 37 vjet me Holli Petreas, të cilën e takoi kur ishte kadet në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point.

Zonja Petreas ka punuar për një kohë të gjatë në mbështetje të anëtarëve të ushtrisë amerikane dhe familjeve të tyre. Ajo u emërua vitin e kaluar të drejtonte një zyrë në Byronë e Mbrojtjes Financiare të Konsumatorëve që trajton ankesat e konsumatorëve, anëtarë të forcave të armatosura.

Dejvid Petreas ka shërbyer për 37 vjet në ushtrinë amerikane dhe doli në pension si gjeneral me katër yje vitin e kaluar, kur zëvendësoi Leon Panetën në postin e drejtorit të CIAs. Petreas komandoi forcat e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Irak, si dhe udhëhoqi Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG