Lidhje

Petreas, gati për betimin si shef i CIA-s


Petreas, gati për betimin si shef i CIA-s
Petreas, gati për betimin si shef i CIA-s

Për shkak të punës së tij të mëparshme si komandant i forcave të armatosura në Afganistan Gjenerali David Petreaus ishte në dijeni të një pjese të operacioneve dhe analizave të CIA-s si një prej zyrtarëve që vihej në didjeni për operacionet e fshehta. Tani, si drejtor i CIA-s ai do te jetë përgjegjës për pregatitjen e raporteve sekrete për presidentin dhe vendim-marrësit politikë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, zoti Petreaus do të marrë drejtimin e një agjencie, që gjithnjë e më shumë po përdor elementë ushtarakë për të luftuar terrorizmin, duke e bërë më pak të dallueshme ndarjen midis CIA-s dhe ushtrisë.

Ekspertja ne fushën e shërbimeve të zbulimit, Amy Zegart, thotë se personat në krye të CIA-s do t’i kenë sytë të ngulur drejt David Petreaus që nga momenti që ai do të hyjë në dyert e zyrave qëndrore të agjencisë në Virginia.

“Ai vjen në këtë detyrë duke sjellë një përvojë të jashtëzakonshme dhe, për mendimin tim, duke qënë mjaft i respektuar. Por unë dyshoj se brenda agjencisë, si prej njerëzve të sektorit të pregatitjes së analizave, ashtu edhe prej atyre të sektorit të operacioneve, do të ketë dyshime nëse ai është një ushtarak, që po vendoset tek CIA apo është vërtetë njeri i zbulimit, që do të luftojë për të mbrojtur agjencine dhe do t’a kuptojë atë.”

Zonja Zegart, që është studiuese tek Instituti Hoover i Universitetit Stanford, thotë se ai duhet të fitojë përkrahjen e atyre personave të CIA-s që ai mund t’i ketë pasur kundërshtarë atëherë kur mbështeste dhe ushtronte presion për politika me të cilat disa njerëz të CIA-s nuk ishin dakord.

“Zoti Petreaus është i lidhur ngushtë me disa strategji në Irak dhe Afganistan për të cilat CIA ka qënë mjaft skeptike. Tani ai duhet të përmbushë detyrat e tij në punën e re, por ai është edhe arkitekti i shumë prej këtyre politikave. Kjo e vendos zotin Petreaus në një pozicion shumë të vështirë.”

Por Thomas Fingar, ish-drejtori i Këshillit Kombëtar të Zbulimit, thotë se njerëzit e lartë të CIA-s do t’i japin zotit Petreaus një mundësi. Ai nuk mendon se gjërat do të shkojnë aq keq sa në rastin e ish-drejtorit Porter Goss, një ish-punonjës i agjencisë i shndërruar më pas në politikan i cili, gjatë dy viteve në detyrë, kur u rikthye si drejtor i agjencisë, pati marrëdhënie shumë problematike me personat e tjerë të rëndësishëm të CIA-s.

“Nga përvoja ime disa vjeçare me komunitetin e zbulimit, kam vënë re se agjencia e ka në kulturën e saj t’u jep mundësinë drejtuesve të lartë. Në rastin e ish drejtorit Porter Goss, ishin gabimet e jashtëzakonshme të tij dhe të ndihmësave ato që çuan në humbjen e mbështetjes nga ana e punonjësve të agjencisë. Në rastin e gjeneralit Petreaus, nuk më duket se njerëzit e CIA-s po thonë që ata do të punojnë me resrva, apo do t’a gjykojnë atë. Por sigurisht ata do të duan të shohin se si do të veprojë ai, si do të sillet me ta, si do të paraqitet, sa kohë do t’u kushtojë punëve të agjencisë në krahasim me aktivitetet e tjera jashtë agjencisë.”

Zoti Petreaus nuk ka përvojë të drejtëpërdrejtë në shërbimet e zbulimit. Por CIA ka patur pesë ushtarakë në krye më parë dhe të gjithë ata, përveç njërit, i shërbyen edhe ushtrisë ndërkohë që ishin tek CIA. Analisti Fingar, që sot punon si studiues pranë Universitetit Stanford, thotë se zoti Petreaus, i cili dha dorëheqjen nga ushtria për të shkuar tek CIA, duhet të jetë më tepër në rolin e një burokrati sesa të një agjenti sekret në terren.

“Ajo që i duhet agjencisë, është një drejtor i aftë që të jetë në gjëndje t’i bëjë ballë detyrave të tij dhe të mund të komunikojë dhe bashkëpunojë me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin, dhe Pentagonin mbi shumë çështje. Ka plot njerëz rreth tij që njohin shërbimet e zbulimit dhe që mund t’a orientojnë.”

Amy Zegart thotë që shërbimi i zbulimit, në mënyrë të veçantë ai i CIA-s, është bërë më ushtarak në dhjetë vitet e fundit që prej 11 shtatorit 2001, ashtu siç tregojnë sulmet ajrore dhe operacionet e forcave speciale kundër objektivave terroriste. CIA dhe ushtria po bashkëpunojnë më ngushtë se kurrë më parë, thotë ajo, duke përmendur që sekretari i ri i mbrojtjes është Leon Panetta, i cili është paraardhësi i gjeneralit Petreaus tek CIA.

Por zonja Zegart, e cila sapo ka shkruar një libër mbi mbikqyrjen e Kongresit në lidhje me shërbimet e zbulimit, thotë se rritja e bashkëpunimit midis CIA-s dhe ushtrisë bën të lindin pyetje mbi disa gjëra në lidhje me kontrollin e tyre.

“E keqja është se identifikimi i përgjegjësive është shumë më i vështirë. Për shembull, operacionet që nga natyra i përkasin shërbimeve të zbulimit, por që kryhen nga ushtria, a janë objekt i te njëjave kontrolle si ato ndaj aktiviteteve të CIA-s? Përgjigja është jo. Pra ka probleme të vërteta në lidhje me përcaktimin e përgjegjësive dhe të aftësive si dhe mbi faktin se cila organizatë është më e përshtatshme për funksione të ndryshme.”

Drejtori i CIA-s më parë shërbente edhe si këshilltari kryesor i presidentit për çështjet e zbulimit. Por në fund të vitit 2004, Kongresi krijoi postin e ri të drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, që shërben si një organ ombrellë për gjithë agjencitë e shërbimeve të zbulimit në kuadrin e reformave pas 11 shtatorit. Thomas Fingar , i cili ka qenë zëvendës drejtor i Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, thotë se drejtori i CIA-s ende ka shumë influencë në Shtëpinë e Bardhë.

“Për një sërë arsyesh – si njohja e mirë, personaliteti, vazhdimësia – CIA, si gjatë presidentit Bush ashtu edhe gjatë presidentit Obama, ka ruajtur, shpesh herë të paprekura, marrëdhëniet e mëparshme me Shtepinë e Bardhë, për shkak të rolit të operacioneve sekrete si dhe aktiviteteve të tjera të zhvilluara prej shërbimeve të zbulimit.”

Nëse kjo është e vërtetë, thotë Amy Zegart, zoti Petreaus duhet të garantojë që ai nuk do ta anashkalojë rolin e Drejtorit të Shërbimit Kombëtar të zbulimit, James Clapper.

“Një nga çështjet kryesore do të jetë, sidomos për shkak të imazhit publik të jashtëzakonshëm të gjeneralit Petreaus, se CIA mund ta lerë në hije, faktin që drejtori i shërbimit kombëtar është numri një i shërbimeve të zbulimit të vendit. Që kjo bashkësi njerëzish të punojë mirë, duhet që drejtori i shërbimit kombëtar të zbulimit të jetë në krye. Pra kjo është një nga pyetjet thelbësore për të cilën duhet të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Sa gjatë do të qëndrojë David Petreaus në detyrën e tij të re nuk mund t’a dimë. Drejtori i CIA-s shërben, siç thotë edhe ligji, për aq gjatë sa dëshiron presidenti.

XS
SM
MD
LG