Lidhje

SHBA njoftojnë një ndihmë të re për Ukrainën


Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko tha sot se Krimea “ishte, është dhe do të jetë ukrainase”.

Ai bëri betimin si presidenti i pestë i vendit, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, para Parlamentit, udhëheqësve botërorë dhe personaliteteve të shquara, mes tyre edhe nënpresidenti amerikan Joe Biden.

Zoti Poroshenko, po ashtu u zotua se do të fillojë një dialog të hapur me banorët e rajonit lindor të vendit, ku separatistët pro-rusë kohët e fundit janë përleshur me forcat ukrainase. Ai ofroi amnisti për luftëtarët që dorëzojnë armët dhe ofroi zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund dhunës.

Zoti Poroshenko i fitoi zgjedhjet presidenciale muajin e kaluar, me një shumicë votash, që ja kalonte shumës së votave të të gjithë 20 kandidatëve të tjerë së bashku. Tani atij i duhet ta drejtojë vendin me probleme të shumta ekonomike dhe me trazira në rajonin kufitar me Rusinë.

Nënpresidenti Biden ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, së bashku me ambasadorin e SHBA në Ukrainë, Geoffrey Pyatt dhe me senatorin republikan John McCain.

Pas ceremonisë, zoti Biden bëri të njohur se SHBA po i ofrojnë Ukrainës një ndihmë shtesë prej 48 milionë dollarësh, për ta ndihmuar Kievin në zbatimin e reformave, ndërtimin e kapaciteve të zbatimit të ligjit dhe forcimin e unitetit kombëtar.

Shtëpia e Bardhë tha sot se aktivitete të tilla plotësojnë programet afatgjatë të ndihmave amerikane, që synojnë të mbështesin reformat dhe të ndërtojnë kapacitetet institucionale në një sërë sektorësh të Ukrainës.

Në fjalimin e tij sot, zoti Poroshenko tha:

“E di që paqja është gjëja më e rëndësishme që njerëzit në Ukrainës duan tani. Një udhëheqës shteti ka nën dispozicion mjete të ndryshme për të përdorur, që të sigurojë integritetin territorial dhe jetën paqësore të qytetarëve të tij.”

Të premten udhëheqësit e Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë morën disa hapa, në përpjekje për të zbutur tensionet në Ukrainë. Pas ceremonive përkujtimore të Ditës së Zbarkimit në Forcave Aleate në Normandi, ata zhvilluan një seri takimesh.
Presidenti amerikan Barack Obama pati një takim të shkurtër me presidentin rus Vladimir Putin, duke theksuar se Rusia mund të kontribuojë në paqen rajonale, duke njohur Petro Poroshenkon, i cili u zgjodh muajin e kaluar. Zoti Putin u takua gjithashtu të premten më zotin Poroshenko. Të dy udhëheqësit ranë dakord për të hapur bisedime zyrtare, që kanë për qëllim negocimin e një armëpushimi në Ukrainën lindore.

“Unë e mirëpres qëndrimin e zotit Poroshenko, se gjakderdhja në Ukrainën lindore duhet të ndalet menjëherë. Ai ka një plan për këtë, por do të ishte më mirë ta pyesnit atë dhe jo mua në lidhje me këtë plan. Ai e shpjegoi planin me pak fjalë, por është ndryshe të flasësh rreth planit këtu në Francë dhe një gjë tjetër ta shpjegojë atë në vendin e tij”, tha zoti Putin.

“Dialogu ka filluar, së pari, negociatat filluan. Së dyti, ne presim njohjen e zgjedhjeve nga Rusia në të ardhmen e afërt, dhe së treti, do të shohim rezultatin e negociatave të dielën”, tha zoti Poroshenko.

Të premten shpërthyen luftime në afërsi të kufirit rus ndërsa mbaheshin bisedimet diplomatike të nivelit të lartë rreth 3 mijë kilometra larg, në Normandi. Separatistët kanë javë të tëra që angazhohen në kryengritje gjithnjë e më të dhunshme në Ukrainën lindore rusisht-folëse.
XS
SM
MD
LG